Manastiri i Kryeengjëjve, një prej atraksioneve të luginës së Drinos
Manastiri i Kryeengjëjve në Derviçan të Gjirokastrës, është një prej kishave dhe manastireve të shumta të luginës së Drinos. I pozicionuar në pllajën e Malit të Gjerë, mbi fshatin Derviçan, manastiri është një ndërtim më i ri në krahasim me komplekset e tjera të kësaj lugine, por ka vlera të shumta dhe dëshmon për zhvillimin dhe larminë tipologjike të ndërtimeve të arkitekturës pasbizantine.
Kompleksi i Manastirit të Kryeengjëjve përbëhet nga kisha dhe konakët, që e rrethojnë atë, kryesisht nga ana lindore dhe perëndimore. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër ndau pamjet 3D të këtij manastiri për të pasur një ide më të plotë rreth këtij ndërtimi. Kisha përbëhet nga naosi dhe narteksi.
Në të gjithë sipërfaqen e interierit, kisha mban pikturë murale. Naosi është i tipit në formë kryqi me kupolë ,triapsidal me përmasa të brendshme 6,9 x 3,8 metra. Naosi lidhet me narteksin në anën perëndimore, i cili është dykatësh. Si në të gjitha kishat e Dropullit, edhe këtu është përdorur e njëjta teknikë ndërtimi, muraturë me gurë shtresore, të vendosur në radhë të rregullta e të lidhur me llaç gëlqereje. Mbulesa e çatisë është me rrasa guri. Si kohë ndërtimi mendohet që manastiri t’i përkasë shekullit të 18-të.
KOHA JONË SONDAZH

