Manastirliu: 10 grupe të reja epidemiologësh në Tiranë. Bonusi deri ditën e fundit të epidemisë
”Pas rritjes me 30% të kapaciteteve të ekipeve të epidemiologëve për gjurmimin, hetimin dhe testimin, rrisim edhe me 10 grupe të reja ekipet e terrenit në Tiranë, nisur nga shtimi i numrit të të infektuarve për përballimin e situatës gjatë vjeshtë-dimrit”. Kështu tha Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë takimit me ekipin e epidemiologëve të Tiranës.
“Kemi një rritje të numrit të infektimeve, në Tiranë kryesisht, por edhe në disa qarqe të tjera të vendit, si Durrësi, Lezha, Kukësi, kryesisht qarqet e veriut janë ato të cilat kanë një numër më të rritur të infektimeve, ndaj kemi forcuar kapacitetet. Përpos rritjes aktuale me 30% të ekipeve të terrenit do të shtojmë edhe 10 ekipe të reja dhe të mund t’ia dalim në këtë sfidë të parë të vjeshtë-dimrit”, shtoi Manastirliu.
Duke theksuar se kapacitetet e testimit janë rritur me 3 herë, ministrja deklaroi se ndër prioritetet kryesore janë shkollat, mësuesit dhe nxënësit, për të kufizuar përhapjen e infeksionit. ”Testimet janë rritur me 3 herë krahasuar me muajin qershor, sigurisht kjo falë punës që epidemiologët kanë bërë, kapaciteteve të shtuara të Institutit të Shëndetit Publik, por edhe punës në terren, sepse ashtu sikurse ne e kemi thënë, testimi pa gjurmimin dhe pa izolimin do të ishte vetëm një hallkë, por nuk do të ishte plotësim rigoroz i strategjisë për kufizimin e përhapjes së infeksionit”, tha Manastirliu.
Ekspertët e Shëndetit Publik u shprehën se rritja e testimeve po ndodh si rezultat i gjurmimit dhe hetimit epidemiologjik: “Testimi vjen pasi ne bëjmë hetimin. Pra nuk është se ne kemi shtuar testimet se duhet të shtojmë testimet. Kemi shtuar testimet sepse në terren ka më shumë vatra dhe është kërkuar nga popullata, nga kushtet ku jemi, për shtuar këtë testim”. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale garantoi mbështetjen për stafet mjekësore në vijën e parë të përballjes me Covid-19 për mjetet e mbrojtjes personale dhe për bonusin special, deri ditën e fundit të epidemisë.