Manastirliu: Armiku është virusi, koha që të jemi të përbashkuar

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, me anë të një fotografie të shpërndarë në rrjetet sociale, jep mesazhin se duhet që të jemi të bashkuar në këto momente kur virusi përcjell rrezikshmëri.

Manastirliu thekson se të gjithë duhet të jemi të përbashkuar për të luftuar ndaj Covid-19.

Postimi i ministres të Shëndetësisë Ogerta Manastirliut:

Kjo nuk është kohë për të qenë të përçarë.

Po harxhojmë shumë energji duke kërkuar lart e poshtë armiq imagjinarë, ndërkohë që armiku i vërtetë sot nuk janë njerëzit.

Armiku është virusi!

Nëse sfidojmë shkencën, komunitetin e mjekëve dhe të ekspertëve të shëndetit, i bëjmë një shërbim pandemisë duke rritur mosbesimin mes qytetarëve, dhe bashkë me të, edhe përhapjen e infeksionit.

Duke rendur në kërkim të fajtorëve pa faj dhe mbushur kokën e njerëzve me të pavërteta, i bëjmë një dëm shëndetit publik.

Kjo është një kohë kur ne politikanët duhet të heshtim dhe ekspertët duhet të flasin.

Unë dëgjoj vetëm këshillat e ekspertëve dhe profesionistëve dhe do t’ju lutesha të gjithëve, që të bëjnë të njëjtën gjë.

Sot është koha për solidaritet dhe bashkëpunim, sepse askush nuk është i tepërt në luftën kundër Covid-19.

Jam e sigurt që #bashkëiadalim!

SHKARKO APP