Manastirliu: Buxheti në shëndetësi 43% më i lartë, mbështetje reformave dhe investimeve

”70.5 miliard lekë ishte buxheti i vitit 2018 për Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale, ose 43% më i lartë se 6 vite më parë, duke konsoliduar në këtë mënyrë reformat dhe programet e nisura për të pasur më shumë akses dhe cilësi në shërbimet e ofruara dhe më pak barrë financiare për qytetarët”. Kështu deklaroi sot në Kuvend, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë diskutimit të buxhetit faktik të vitit 2018. “Ne kemi mundur të sigurojmë më shumë akses dhe cilësi në shërbimet që ofrojmë. Kemi garantuar shërbime më të mira për qytetarët, duhet të pranojmë se kemi ndryshuar si nata me ditën qasjen e shërbimit cilësor publik”, tha Manastirliu.

Janë 420 mijë qytetarë çdo ditë që kryejnë falas kontrollin bazë mjekësor”. ”Kontrolli Mjekësor Bazë është i vetmi instrument në dorën e mjekut të familjes për të verifikuar statusin shëndetësor të qytetarëve. 6 vite më parë paratë që jepeshin për shëndetësinë shkonin në erë. Sot spitalet tona janë shumë mirë të furnizuara me barna dhe me pajisje mjekësore”.

Sipas saj, është garantuar falë reformave të qeverisë Rama dhe fokusit që ka ajo tek njerëzit. ”Shëndetësia është një nga sektorët ku financimi nuk mund të konsiderohet shpenzim. Është investim dhe investimi për shëndetin e njerëzve është kontrolli mjekësor bazë, kontrolli për shëndetin e gruas, programi më i ri për depistimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës. 6% e atyre grave që janë ekzaminuar janë paraqitur me problematika të cilat po ndiqen. Investim është rrjeti i mamografive që ofrojnë shërbime për më shumë se 17 mijë gra në vit”.

Duke folur për vlerat që ka kontrolli mjekësor bazë, ajo shtoi se ajo na jep të dhëna reale me të cilat adresojmë politika më të mira në funksion të shëndetit. “Sot kryhen mbi 90 mijë ndërhyrje operatore përmes një sistemi të mirëelaburuar. Në sistemin shëndetësor publik janë 8260 qytetarë që kanë përfituar falas 12 paketat mjekësore që financohen 100% nga shteti, për dializën, transplantin e veshkave, paketën e kataraktës dhe radioterapisë. Janë 24 milionë dollarë për sëmundjet tumorale dhe 100 milionë dollarë për skemën e rimbursimit të barnave. Investimet në shëndetësi do të vijojnë”, tha Manastirliu. Për sa i takon skemës së mbrojtjes sociale, ajo tha se është një ndër paketat më të plota që investojmë. ”30 mijë fëmijë të porsalindur çdo vit përfitojnë bonusin e bebes, ndërkohë që kemi edhe skemën e re të ndihmës ekonomike”.

SHKARKO APP