Manastirliu: Do të zgjerojmë llojshmërinë e barnave tumorale falas

Në ditën botërore të kancerit, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu vizitoi spitalin Onkologjik në Tiranë, ku vlerësoi punën e mjekëve dhe infermierëve për trajtimin e pacientëve gjatë vitit të pandemisë. ”Nuk ka qenë një vit i lehtë, por këtu puna nuk është ndalur për asnjë moment dhe janë më shumë se 15 mijë pacientë që kanë marrë shërbime në kohë dhe me cilësi në spitalin onkologjik”.

Duke folur për terapitë e mjekimit për sëmundjet tumorale, ministrja tha se vetëm për terapitë e mjekimit për të sëmurët me kancer, financohen 25 milion euro/vit. ”Ia kemi dalë që të dyfishojmë numrin e grave të cilat tashmë prej vitit 2018 marrin trajtimin nëpërmjet skemës së rimbursimit, por edhe nëpërmjet terapive në spital 100% të trajtimit me herceptinë falas. Janë rreth 25 milion euro që financojmë/vit për trajtimin e pacientëve me kemiopreparate në spitale dhe nga paketa e barnave të rimbursueshme”, tha Manastirliu.

Duke vlerësuar punën e shërbimit të radioterapisë ku vetëm gjatë 2020 janë kryer 20 mijë seanca radioterapie falas, me aparatura të teknologjisë së lartë. Duke folur për programet e parandalimit, Manastirliu apeloi qytetarët për t’ju drejtuar mjekut të familjes. ”Programi Kombëtar i Depistimi të kancerit të qafës së mitrës është një program i cili ka filluar prej vitit 2019 dhe që ka dhënë rezultatet e veta, pasi më shumë se 30 mijë gra janë depistuar nëpërmjet testit HPV në qendrat shëndetësore”.

Gjatë vizitës në spitalin onkologjik në QSUT, ajo u shpreh se është garantuar shërbimi afër vendbanimit për diagnostikimin në kohë dhe trajtimin e grave me kancer gjiri si dhe është garantuar mbulimi 100% falas i trajtimit në banesë për të sëmurët që kërkojnë kujdes paliativ. Në fund ministrja bëri apel për të shfrytëzuar më shumë kontaktin me mjekun e familjes për të parandaluar dhe identifikuar në kohë sëmundjet tumorale. Rreth 6 mijë raste të reja të tumoreve në vit identifikohen në vendin tonë, 90% e të cilave menaxhohen dhe trajtohen nga sistemi shëndetësor publik.

SHKARKO APP