Manastirliu drejton Forumin Rajonal në Gjenevë: Reforma për zhvillimin e qëndrueshmëri
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu drejtoi Forumin Rajonal për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Europën, i cili zhvilloi punimet në Gjenevë të Zvicrës. Në këtë Forum, ku merrnin pjesë 850 përfaqësues të lartë nga 50 shtete, u diskutuan arritjet në Objektivat e Zhvillimit të Qendrueshëm, si një platformë gjithëpërfshirëse, e cila ka në fokus zhvillimin global në kuadër të Agjendës 2030.
Shqipëria udhëhoqi Forumin Rajonal, nën drejtimin e Ministres Manastirliu, e cila prezantoi arritjet e Qeverisë shqiptare në fusha të rëndësishme, si, në drejtësi, shëndetësi, punësim, arsim dhe në fuqizimin e gruas në shoqëri. ”Reformat që kemi ndërmarrë shkojnë jo vetëm në linjë me objektivat e zhvillimit të qendrueshëm por gjithashtu dhe me Aghendën 2030 dhe prioritetet për integrimin europian të Shqipërisë”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu në fjalën e saj ndau përvojën e vendit tonë lidhur me Rishikimin Vullnetar Kombëtar (VNR), ku theksoi angazhimin e plotë të Qeverisë shqiptare në drejtimin e procesit të reformave, të qasjes gjithëpërfshirëse dhe të bashkëpunimit në nivel rajonal, për të siguruar suksesin e Agjendës 2030.
Gjatë ditëve të zhvillimit të Forumit Rajonal në Gjenevë, Ministrja Manastirliu pati takime bilateriale me personalitete të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara. Gjatë takimit me Kate Gilmore, zv.Komisioneren e Lartë për të Drejtat e Njeriut, u diskutua mbi angazhimin e vendit tonë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të minoriteteve. Gilmore vlerësoi miratimin e ligjit kuadër për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Shqipëri si dhe hapat e marrë nga Qeveria shqiptare në kuadër të të drejtave të minoriteteve dhe veçanërisht për grupet vunerabël, si komuniteti Rom dhe Egjiptian.
Ndërsa gjatë takimit me znj.Olga Algayerova, Zv.Seketare e Përgjithshme e UNECE, u vlerësua roli i Qeverisë shqiptare në avancimin e reformave për uljen e pabarazive dhe mbështetjen e grupeve vulnerabël, si parakush për zhvillimin e qëndrueshëm.
KOHA JONË SONDAZH

