Manastirliu e Veliaj inspektojnë qendrën e re shëndetësore në Kashar
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe kryetari Bashkisë Erion Veliaj kanë inspektuar nga afër Qendrën e re Shëndetësore në lagjen 14, Kashar.
“Kjo është tashmë një qendër që ofron të gjithë gamën e paketës të kujdesit parësor për komunitetin. Kur themi 300 qendra shëndetësore, themi 300 komunitete që sot marrin shërbime më të mira, në kushte më dinjitoze, mjeket kanë kushte shumë më të mira pune dhe sigurisht që fëmijët tanë kanë sigurinë që trajtohen shumë më mirë dhe me shumë më cilësi”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë nënvizon se puna do të vijojë për transformimin e shërbimit parësor, edhe pas rehabilitimin të 300 qendrave.
“Kjo është një punë që do të vazhdojë, nuk përfunduam me 300 qendrat shëndetësore që rehabilituam në të gjithë vendin. Ne do të vijojmë që në fokus të programit tonë dhe në kuadër të strategjisë tonë të kujdesit parësor, infrastruktura e të gjithë qendrave të vijojë, jo vetëm infrastruktura, por edhe paketa e plotë e shërbimeve”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë tha se qendra e re shëndetësore në Kashar do të ofrojë edhe shërbimin e konsultorit për fëmijët e zonës së Astirit në Tiranë, shërbim i munguar prej vitesh.
Duke folur për situatën e COVID19, Ministrja e Shëndetësisë ka kërkuar bashkëkupinim e qytetarëve. “Lufta nuk ka mbaruar, virusi nuk shkon me pushime, ndaj kërkohet një angazhim maksimal i të gjithë qytetarëve sepse në fund të ditës kjo luftë kërkon shumë solidaritet dhe sigurisht ne nëpërmjet zinxhirit të solidaritetit do të mund të thyejmë zinxhirin e infektimit që krijon ky virus. Dhe patjetër që kjo bëhet në sajë të bashkëpunimit të qytetarëve dhe strukturave shëndetësore”, apeloi Manastirliu.
Veliaj tha se në këtë zonë, disa vite më parë, nuk ekzistonte as Unaza e Madhe, as bulevardi, dhe nuk kishte as poliklinikë, ku banorët mund të merrnin shërbimet shëndetësore. Ai u shpreh se pavarësisht bindjeve, lufta nuk është me njëri-tjetrin, por me kohën e humbur dhe me një infrastrukturë që ka nevojë të urbanizohet.
“Ndonjëherë, kur futet politika, e kthen luftën me njeri-tjetrin si luftë kundër projekteve. Humbëm tre vjet, kemi humbur vite të tëra, ndaj besoj që qytetarët do e kuptojnë se vetëm duke punuar ecim përpara. Bashkia përmirësoi furnizimin me ujë dhe bëri bulevardin, ARRSH-ja dhe ministrja Balluku sollën Unazën; Ministria e Shëndetësisë solli qendrën shëndetësore, e mandej do vijojmë me tre shkollat e reja”, vijoi ai.
Veliaj tha se Astiri është një zonë që zmadhohet çdo ditë e më shumë, ndërsa u bëri thirrje banorëve që të regjistrohen.
“Jemi në një lagje ku jetojnë rreth 100 mijë banorë. Por, para 5-6 vitesh gjetëm të regjistruar vetëm 7 mijë banorë. Investimet vijnë në proporcion me numrin e banorëve. Fakti që tani kemi arritur 20 mijë, pra lagjja është trefishuar; kjo nuk do të thotë se janë trefishuar banorët, por janë trefishuar regjistrimet”, tha Veliaj.
Ai tha se shumë shpejt do të fillojë ndërtimi i tre shkollave të reja. “Teksa shërbimet po vijnë aty ku janë banorët, kemi plotësuar realisht një kërkesë që ky komunitet e ka pasur jetësore”, nënvizoi kryebashkiaku.