Manastirliu: Garantojmë shërbimin e urgjencës, do rindërtojmë spitalin e Laçit (VIDEO)
Tërmeti tragjik i 26 nëntorit, preku rëndë edhe spitalin e Laçit. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka siguruar qytetarët se shërbimi provizor i urgjencës nuk do të ndërpritet në asnjë moment, ndërkohë që po merren masa për një zgjidhje më të qëndrueshme, deri në rindërtimin e spitalit bashkiak të Laçit, i cili u dëmtua rëndë nga tërmeti i datës 26 nëntor.
”Shumë faleminderit mjekëve dhe infermierëve për punën që po bëni edhe në këtë pikë provizore të urgjencës, që e kemi vendosur menjëherë në funksion të qytetarëve, ndërsa shërbimet e patologjisë, të obstetrikës të kirurgjisë, ofrohen në spitalin e Lezhës. Ndërkohë që gjithë organizimi me Urgjencën Kombëtare për sa i përket vajtjes në Lezhë do të jetë shumë efikas sepse do të shtohen dhe autoambulancat që të kemi një qarkullim më të shpejtë”.
Ministrja bën me dije se aktualisht shërbimi i urgjencës në spitalin e Laçit po ofrohet në një çadër mjekësore të mirëpajisur me të gjitha mjetet e nevojshme të urgjencës si dhe një strukturë lëvizëse e urgjencës. Duke siguruar se do të gjendet së shpejti një zgjidhje më e qëndrueshme për shërbimin e urgjencës, Manastirliu tha se spitali i Laçit do të rindërtohet. ”Sipas akt konstatimit të ekspertëve, ky spital është i dëmtuar në strukturë dhe plani afatmesëm është rindërtimi i spitalit të ri bashkiak të Laçit, si pjesë e planit të rindërtimit të strukturave të dëmtuara nga tërmeti”.
Me vendosjen e shiritit të kuq në Spitalin e Laçit dhe deri në ndërhyrjen për të riparuar dëmet nga tërmeti i 26 nëntorit, jashtë ambienteve të spitalit është ngritur një çadër për të ofruar shërbimin e urgjencës. ”Kemi evakuuar shumicën e shërbimeve në spitalin e Lacit, në Lezhë. Po ngrihen dy tenda mjekësore, kemi marrë disa nga godinat që po i përdorim në afërsi të spitalit të Laçit. Sot kemi një ambulancë që është duke kryer kontrolle në të gjithë banorët që ndodhen në çadra. Godina është nxjerrë për tu evakuuar deri në një rikonstruksion të pjesshëm apo në ndërhyrje në muraturë apo pjesë të tjera, pra nuk është për tu shembur. Më e rëndësishme është të ketë siguri për pacientët”, shprehet Etjan Xhafaj, përfaqësues i Komitetit Ndërministror për Emergjencat Civile, për Qarkun Lezhë.