Manastirliu komenton buxhetin e 2022, nga bonusi i bebes tek rritja e ndihmës ekonomike
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës së saj në Kuvend, deklaroi se me Buxhetin e 2022 do të financohen 27 miliard e 850 milionë lekë për programet e mbrojtjes sociale, duke zgjeruar mburojën sociale për shtresat më në nevojë. Buxheti 2022 parashikon rritjen e masës së ndihmës ekonomike për çdo familje pjesë të kësaj skeme, duke parashikuar rritjen më të madhe për familjet më në nevojë.
“Buxheti 2022 është buxheti i qytetarëve, që rrit mburojën sociale për ata që janë më vulnerabël. Do të financojmë me këtë buxhet mbi 27 miliard e 850 milionë lekë për programet e mbrojtjes sociale. Rritja e mburojës sociale do të shkojë direkt për familjet në ndihmë ekonomike. Çdo familje pjesë e skemës së ndihmës ekonomike do të ketë 10% rritje të pagesës me buxhetin 2022. Do të dyfishojmë ndihmën ekonomike për 15 mijë familjet e kësaj skemë që kanë 3 fëmijë deri në 18 vjeç. Do të trefishohet masa e ndihmës ekonomike për fëmijët me status jetimi dhe për gratë e trafikuara dhe me urdhër mbrojtje”, tha Manastirliu.
Duke folur për programet e mbrojtjes sociale, Ministrja e Shëndetësisë tha se për vitin 2022 janë parashikuar të trajtohen me pagesa të aftësisë së kufizuar më shumë se 164 mijë persona, përfshirë edhe kujdestarë të personave me aftësi të kufizuar dhe invalidët e punës.
“Përsa i përket shtrirjes së reformës së aftësisë së kufizuar, planifikohet që me buxhetin e vitit 2022 kjo skemë e re e vlerësimit të ri të klasifikimit sipas kritereve ndërkombëtare të OBSH, të mbështetet nga buxheti i shtetit në vlerën 16 miliard e 790 milionë lekë. Do të përfitojnë më shumë se 164 mijë persona, përfshirë këtu edhe kujdestarët e personave me aftësi të kufizuar dhe invalidë të punës”, tha Manastirliu.
Buxheti 2022 do të vijojë konsolidimin e Programit të Bonusit të Bebes, si një program universal i mbrojtjes sociale për çdo të porsalindur.
“Mbi 2 miliard lekë është financimi i parashikuar për programin e konsoliduar të Bonusit të Bebes, ku më shumë se 30 mijë fëmijë në vit përfitojnë nga 40 mijë-120 mijë lekë”, tha Manastirliu.
Përsa i përket shërbimeve sociale në territor në mbështetje të planeve sociale të bashkive por edhe në mbështetje të strategjisë për riintegrimin social dhe përfshirjen sociale, do të jenë të dedikuara rreth 320 milionë lekë për qendra të reja sociale në territor dhe për ndërmarrjet sociale, si dy instrumenta efektiv, Fondi Social dhe Ndërmarrjet Sociale që aktivizojnë në territor shërbime të reja sociale për grupet e pafavorizuara. Një tjetër program i mbrojtjes sociale që do të vijojë është riintegrimi i të përndjekurve politikë. Nga Buxheti 2022, 1 miliard e 35 milionë lekë do të financohen për programin e riintegrimit për të përndjekurit politikë.