Manastirliu: Kujdesi shëndetësor 24 orë, 1990 trajtime mjekësore për banorët në hotele

Ndërsa numri i qytetarëve të lënduar nga tërmeti që po marrin trajtim në spitale ka ardhur në ulje (altualisht janë 20 të shtruar në spitalin e Traumës, 4 në spitalin e Durrësit dhe 3 po kurohen jashtë vendit), ekipet mjekësore janë përqëndruar në dhēnien e ndihmës mjekësore në terren, pranë banorëve të strehuar në hotele apo në pikat e emergjencës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, deklaroi nga Shëngjini se, do të ofrohet kujdes shëndetësor 24 orë për banorët në pikat e emergjencës. ”Jemi përqëndruar në ofrimin e ndihmës mjekësore pranë hoteleve dhe pikave të emergjencës ku janë vendosur banorët dhe po garantojmë shërbim 24/7 dhe kemi siguruar barnat për të sëmurët kronikë”. Janë kryer 1990 vizita dhe trajtime mjekësore në hotele ku janë vendosur banorët e mbetur pa strehë si pasojë e tërmetit. Gjithashtu janë kryer 3100 vizita dhe trajtime mjekësore në qendrat shëndetësore 24/7 pranë zonave të prekura nga termeti. Janë pajisur me medikamentet e nevojshme 376 të sëmurë kronikë.

Kryeministri Edi Rama tha se: ”Rrëzohemi bashkë, ringrihemi bashkë dhe i lutemi së bashku Zotit të na forcojë durimin e mos ta sprovojë më familjen shqiptare me goditje që na këpusin në mes e në shpirt”. Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj tha se situata është nën kontroll dhe jemi organizuar në të gjitha pikat. ”Çdo thirje dhe çdo konsultë regjistrohet dhe jepet një përgjigje. Kemi rreth 7 mijë thirrje nga momenti i rënies së tërmetit dhe janë mbi 1500 vizita që janë kryer”.

Krahas ofrimit të kujdesit shëndetësor në të gjitha pikat e emergjencës të ngritura për banorët e prekur nga tërmeti nuk ka munguar ofrimi i kujdesit psiko-social për fëmijët dhe të gjithë banorët që kanë pasur nevojë. Janë më shumë se 1500 fëmijë në këto ambiente që po marrin kujdesin e duhur psiko social nga 300 psikologë dhe punonjës social në bashkëpunim me Shërbimin Social Shtetëror, Agjensinë e Fëmijëve, Urdhërin e Psikologut, organizatat si UNICEF, Save the Children, World Vision.

Disa dhjetra fëmijë nga Durrësi dhe Tirana, së bashku me familjet e tyre, pas lëkundjeve të dhunshme të tokës në 26 nëntor, janë akomoduar në qytetin e Pogradecit. Pas akomodimit të tyre, autoritetet lokale i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë fëmijëve. Psikologët e qytetit të Pogradecit, animatorë dhe qendra kulturore kanë organizuar aktivitete të ndryshme me fëmijët, në mënyrë që ata të kalojnë sa më shpejt pasojat e përjetimit të tërmetit dhe të kthehen në normalitet. Trajtimi i fëmijëve por edhe familjarëve të tyre që kanë shfaqur probleme me gjendjen emocioanale, do të vazhdojë për gjatë gjithë kohës që ata do të qëndrojnë në hotelet e Pogradecit.

SHKARKO APP