Manastirliu: Mbulim 100% i terapisë për limfomat malinje
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e cila ka nisur së fundmi një komunikim të përjavshëm me qytetarët mbi të gjitha problematikat e adresuara prej tyre por për të ndarë me ta punët e javës, si dhe ato që janë planifikuar në ditët në vijim i është përgjigjur sot shqetësimit të ngritur nga një paciente e cila kërkon mundësimin e shërbimit të kimioterapisë në spitalin afër vendbanimit të saj. ”Sot ne ofrojmë shërbimin e kimioterapisë për dy diagnoza në 6 qendrat tashmë të hapura në spitalet rajonale, por menjëherë pas sugjerimit tënd filluam punën që bashkë me mjekët e shërbimit onkologjik të vlerësojmë mundësinë e zgjerimit të diagnozave dhe paralelisht të fillojmë trajnimin e stafeve për të lehtësuar pacientët që vuajnë nga sëmundjet tumorale dhe familjarët e tyre”.
Duke veçuar disa prej punëve më të rëndësishme të kësaj jave nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, Manastirliu tha se më në fund sot ofrohet trajtim i plotë me 100% i terapisë për limfomat malinje, është ulur koha e pritjes për koronagrafinë, pas zgjerimit të shërbimit në 3 qendra shëndetësore, si dhe ka nisur ndërtimi i reanimacionit të kardiokirurgjisë në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
“Në javën që lamë pas vizitova QSUT-në, ku ndava me pacientët dhe mjekët e shërbimit të Hematologjisë lajmin e mirë se siguruam trajtimin e plotë me 100% me terapi të targetuar për limfomat malinje, që kanë kosto shumë të lartë dhe sot më në fund ia kemi dalë të kemi mbulim të plotë për të gjithë pacientët. Një tjetër shërbim është mundësuar për qytetarët. Koronogafitë sot kryhen në një kohë optimale. Kemi ulur radhët e pritjes, falë zgjerimit të shërbimit në 3 qendra spitalore, si dhe aplikimit të sistemit elektronik. Sot radha e pritjes nuk tejkalon 2-3 javë nga marrja e rekomandimit të mjekut. Në spitalin “Shefqet Ndroqi” u ndala në shërbimin më të ri, ndërtimin e reanimacionit të kardiokirurgjisë që do të na mundësojë që në muajt e parë të vitit të ardhshëm të hapim shërbimin e kardiokirurgjisë, të dytin pas QSUT-së”.
Gjithashtu, në sistemin shëndetësor publik kanë filluar këtë javë punë 114 infermierë fitues të raundit të parë përmes portalit Infermierë për Shqipërinë, ndërkohë që vijon procedura për plotësimin e të gjitha vendeve të lira përmes procedurave të portalit. Ministrja njoftoi se për herë të parë do të konstituohet Këshilli Kombëtar i Shëndetësisë, organizëm që do orientojë politikat shëndetësore dhe që do ketë zërin e vet në vendimmarrjet për çështjet që lidhen me sistemin shëndetësor. ”Së bashku me Inspektoriatin Shtetëror Shëndetësor po organizojmë një plan të ri veprimi për zbatimin deri në një të ndryshimeve ligjore të miratuara së fundmi për luftën kundër duhanpirjes në ambientet publike”. Një tjetër investim i ri ka përfunduar në Shkodër, ku do të hapet këtë javë qendra e re shëndetësore për banorët e Vaut të Dejës.