Manastirliu: Miratohet ngritja e Komisionit për “Fëmijët në përkujdesje të Republikës”

Fëmijët në përkujdesje të Republikës do të mbështeten me pagën e plotë të prindit që ka humbur jetën në detyrë.

Pas miratimit të ligjit për mbështetjen e tyre, qeveria miratoi sot vendimin për ngritjen e një komisioni të posaçëm që do të miratojë kërkesat për përfitimin e statusit të ‘Fëmijëve në përkujdesje të Republikës. Duke bërë me dije vendimin e fundit të qeverisë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu tha se ky komision konstituohet javën që vjen.

Komisioni i Posaçëm ngrihet në funksion të ligjit të ri të miratuar për ‘Fëmijët në Përkujdesje të Republikës’, për ta jetësuar këtë ligj. Ky Komision Qendror i përbërë nga përfaqësues të ministrive dhe organizata që mbrojnë të drejtat e fëmijëve, do të fillojë punën menjëherë në zbatim të këtij ligji. Eshtë një ligj që mbështet fëmijët në shumë dimensione, në paketën e plotë të ndihmës financiare, me pagën maksimale të prindit që ka humbur jetën në krye të detyrës duke u vetësakrifikaur, duke i siguruar fëmijës mbështetje sociale, në arsimim dhe përkujdes në të gjithë aspektet”, deklaroi Manastirliu.

‘Fëmijët në Përkujdesje të Republikës’ do të përfitojnë: Pagën e plotë mujore e prindit për fëmijën e vetëm; 140% e pagës kur prindi ka lënë pas dy fëmijë; 150% e pagës kur fëmijët jetimë janë tre; 160% e pagës së prindit kur në familje janë katër fëmijë që kanë humbur prindin, e me radhë. Përveç trajtimit financiar, këta fëmijë do të kenë mbështetje për edukim e arsimim, punësim, mbrojtje sociale dhe në shërbimin shëndetësor publik e privat. Do të garantohet plotësisht shërbimi shëndetësor falas jo vetëm në strukturat publike, por edhe në strukturat private apo dhe jashtë vendit, kur të jetë e nevojshme. Fëmijët në përkujdesje të Republikës do të përfitojnë gjithashtu bursën për ndjekjen e arsimit parauniversitar në institucionet arsimore publike dhe tekste shkollore falas.

Ministrja Manastirliu bëri gjithashtu me dije një vendim tjetër të qeverisë për përmirësimin e sistemit aktual të vlerësimit të personave me aftësi të kufizuara.

SHKARKO APP