Manastirliu: Në 2020, transplanti i parë i palcës së kuqe në QSUT

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale financon 24 milionë euro në vit për sëmundjet tumorale, duke e rritur me gati 3 herë financimin për këto sëmundje, krahasuar me 6 vite më parë. Në fjalën e saj në Kongresin e Shoqatës Shqiptare të Hematologjisë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se brenda vitit që vjen do të realizohet transplanti i parë i palcës së kuqe në Shqipëri.

”Ka nisur investimi në QSUT, së shpejti investojmë dhe për pajisjet e nevojshme për të realizuar transplantin e parë të palcës së kuqe në Shqipëri brenda vitit 2020, si njëri ndër mjekimet më të mira për pacientët me sëmundje malinje të gjakut”. Pas rasteve të para që do të realizohen në QSUT, Manastirliu u shpreh se me përfundimin e spitalit të ri të sëmundjeve të brendshme, do të realizohet edhe transplanti i veshkave në shërbimin publik.

Duke përmendur disa nga investimet strategjike që qeveria shqiptare po bën në sistemin shëndetësor publik, Manastirliu tha se janë rritur investimet në shëndetësi dhe janë trefishuar financimet për sëmundjet tumoriale. ”Janë 24 milion euro në vit që Ministria e Shëndetësisë financon për sëmundjet tumorale, duke e rritur me gati 3 herë financimin për këto sëmundje, krahasuar me 6 vite më parë. 11 milion euro financohen për barna të sëmundjeve të gjakut nga skema e rimbursimit dhe ajo e spitaleve dhe janë 38 barna të rimbursueshme që trajtojnë sëmundjet malinje të gjakut”.

Kongresi i Shoqatës Shqiptare të Hematologjisë, po zhvillon punimet në Tiranë nga datat 15-16 Nëntor, me pjesëmarrjen e hematologëve nga rajoni, disa vende të Bashkimit Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

SHKARKO APP