Manastirliu në kampin e Vorës: Shërbim shëndetësor në 24 orë për qytetarët dhe vaksinim kundër gripit
Në kampin e Vorës, 20 km larg kryeqytetit, ku janë strehuar në çadra mbi 300 banorë, banesat e të cilëve janë të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, ofrohet shërbimi shëndetësor 24 orë pa ndërprerje. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, na tregon së bashkë me skuadrën e saj të mjekëve dhe infermierëve, të sëmurët kronikë në këtë kamp kanë marrë barnat e nevojshme me rimbursim. Si në të gjitha pikat e emergjencës, edhe në Vorë po vijon vaksinimi kundër gripit për të moshuarit, gratë shtatzëna dhe fëmijët deri në 5 vjeç, për t’i mbrojtur nga viruset stinore. “300 qytetarët që janë akomoduar në kampin e Vorës, marrin shërbim mjekësor pa ndërprerje dhe për çdo rast që paraqitet nevoja. Kujdes i veçantë u kushtohet të sëmurëve kronikë, ndërsa vaksinimi kundër gripit po kryhet në rreth 900 persona të tjerë në të gjitha qendrat e emergjencës”,-tha Manastirliu për ERTV.
Ekipi i mjekëve dhe infermierëve është në gatishmëri të plotë. Ndërsa duke vizituar ambientet e qendrës mjekësore në këtë kamp, një e moshuar thotë se “ka gjetur këtu një shërbim mjekësor që nuk e ka parë asnjëherë më parë”. Unë po mas tensionin, se u ndjeva me aritmi dhe me shërbimin që më është ofruar ndihem shumë e sigurt”,-thotë ajo.
Ministrja Manastirliu na tregon se, të gjitha barnat po shpërndahen për qytetarët me rimbursim. Ndërsa janë 400 qytetarë të sëmurë me sëmundje kronike, për të cilët po merret informacion nga mjekët e tyre të familjes për mjekimin që marrin dhe po hartohen kartela të personalizuara, për t’u shpërndarë ilaçe falas. Përveç kësaj, kujdes i vazhdueshëm po u kushtohet kushteve higjieno-sanitare. “Inspektorati i Shërbimit Mjekësor verifikon çdo ditë kushtet e higjienës në çdo çadër, për të siguruar në çdo moment dhe në çdo drejtimin shëndetin e qytetarëve”,-tha Manastirliu. Sipas saj, në kampin e Vorës, në këndin e shëndetësisë ofrohet edhe shtrimi i pacientëve në kushtet e regjimit spitalor, duke siguruar kështu shërbim maksimal mjekësor për çdo shqetësim të qytetarëve.
Ministrja shpjegoi se, të gjitha strukturat shëndetësore po veprojnë në mënyrë të koordinuar, shërbim i cili do të vijojë edhe në fazën e zhvendosjes së qytetarëve nga çadrat në ambientet me qira. Ekzaminimi i kujdesshëm i qytetarëve ka nxjerrë në pah në disa raste, sëmundje për të cilat qytetarët nuk i kishin ditur më parë. Ndërsa janë masat shumëdimensionale, duke ofruar shërbime përkatëse edhe punonjësit socialë, psikologët, për të vijuar me planin e masave për fëmijët, ku krahas planeve psikosociale organizohen edhe veprimtari të ndryshme kreative.
KOHA JONË SONDAZH

