Manastirliu në Pezë: Rehabilitojmë QSh Pezë e Madhe, 80 QSh në të gjithë vendin
”Që nga drejtori te specialisti, administrata publike do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe nuk do të ketë imunitet për asnjë zyrtar që sorollat qytetarët për të marrë shërbimin që u takon”,është paralajmëri i ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Nga Peza ku u ndal në takimet që po zhvillon në kuadër të turit të llogaridhënies publike, Ministrja Manastirliu ftoi qytetarët të bëhen pjesë e platformës së bashkëqeverisjes, sepse aty do të gjejnë përgjigje për shqetësimet e tyre.
”Çdo ditë jemi sy e veshë nga kërkesat e qytetarëve sepse kemi marrë një angazhim: Të qeverisim me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Ndaj ju ftoj të shkruani në platformën e bashkëqeverisjes sepse brenda 10 ditëve shqetësimi juaj do të adresohet për zgjidhje”,tha Manastirliu.
Në takimin ku merrnin pjesë edhe deputetët Gjylameti e Pëllumbi, kryetari i Bashkisë Veliaj dhe përfaqësues të pushtetit vendor, banorët ngritën problemin e legalizimeve, rrugës nacionale, qendrës shëndetësore, etj.
”Sigurisht që nuk jemi aty ku duhet dhe ne e dimë se kemi ende shumë për të bërë për përmirësimin e shërbimeve publike por dua të ndaj me ju një lajm të mirë e të shumëpritur për banorët e Pezës. Nisim këtë vit investimin për rehabilitimin e plotë dhe pajisjen e qendrës shëndetësore Pezë e Madhe. Si kjo qendër rikonstruktojmë 80 qendra shëndetësore nga veriu në jug”,-tha më tej ministrja e Shëndetësisë.
KOHA JONË SONDAZH

