Manastirliu: Nëse jeni mbi 18-vjeç, nga sot mund të aplikoni në portalin e-Albania për t’u vaksinuar
Qeveria ka marrë një tjetër vendim të rëndësishëm për situatën pandemike në vend dhe është vaksinimi i rinisë. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka njoftuar se nga dita e sotme nisin aplikimet në portalin e-Albania për t’u vaksinuar kundër Covid, duke filluar nga grupmosha mbi 18-vjeç. Po ashtu Manastirliu nënvizon se më shumë se 935 mijë vaksinime anti-covid janë kyer deri tani në vend, teksa do të intensifikohet ky proces në sezonin e verës.
“Nga sot mund të aplikoni në portalin e-Albania për t’u vaksinuar pa dallim mbi 18 vjeç, në ditët e hapura të vaksinimit në datat 29-30 qershor. Më shumë se 935 mijë vaksinime anti-covid janë kryer deri tani, teksa do ta intensifikojmë këtë proces jetik në sezonin e verës, që është koha më e mirë për shtrirjen e vaksinimit masiv . Vaksinimi anticovid në Vlorë”, shkruan Manastirliu.
Ministrja Manastirliu u shpreh se pavarësisht se jemi në një situatë të mirë, të kontrolluar epidemiologjike në të gjithë vendin nuk mund të themi që jemi imun qoftë nga Covid-19 që është ende prezent, apo edhe nga varianti i ri Delta. Kurse shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, prof. Silva Bino u shpreh se vaksinimi i moshave më të reja është i rëndësishëm për rritjen e ndërgjegjësimit dhe shmangien e shpërthimeve epidemike të mundshme të variantit të ri Delta.
“Vaksinimi po ecën mjaft mirë. Kemi një mbulesë mjaft të mirë vaksinale sidomos tek personat mbi 70 vjeç, që është një grup mjaft i prekur nga pikëpamja e vdekshmërisë, kështu që është një element i mirë që ne pothuajse, po arrijmë 70 përqind të kësaj grup moshe, por edhe ato grupmoshat e tjera janë goxha mirë dhe prandaj ka rëndësi që ta ulim dhe më tepër grupmoshën, që të ndërgjegjësojmë dhe të rinjtë, sidomos me daljen e variantit Delta, që mund të prekë të rinjtë”, tha Bino.
Ministrja e Shëndetësisë ka ritheksuar se sezoni i verës do të jetë një sezon i vaksinimit masiv, duke vaksinuar edhe në shtëpi, edhe në fshatrat më të largëta, ku nuk është mbuluar e gjithë popullata, sidomos më të moshuarit, që kanë pamundësi të shkojnë pranë qendrave të vaksinimit.