Manastirliu nga QSUT-ja: Lufta me Covid-19 s’ka përfunduar
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka takuar mesditën e sotme drejtues të shërbimeve mjekësore në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për t’i mbështetur në luftën kundër Covid-19.
”Shërbimi nuk i ka munguar dhe nuk do t’i mungojë asnjë qytetari në nevojë për kujdes mjekësor. Ndërkohë, lufta me Covid-19 nuk ka përfunduar, po kalojmë një fazë tejet delikate dhe të rëndësishme në përpjekjen tonë të përbashkët për të frenuar përhapjen e virusit. Në këtë fazë, zbatimi rigoroz i protokolleve dhe mjeteve të mbrojtjes personale në dispozicion për çdo punonjës të sistemit shëndetësor, si dhe vigjilenca në të gjitha nivelet e shërbimit, kanë rëndësi jetike”.
Manastirliu ka apeluar për qytetarët që të vazhdojnë të kenë kujdes duke zbatuar rregullat e vendosura për të mbrojtur veten, të afërmit, dhe personelin shëndetësor.
“Ashtu siç kemi bërë që nga dita e parë e kësaj epidemie të vijojmë të mbrojmë veten, të afërmit tanë dhe ata që na shërbejnë pa u lodhur në sistemin tonë shëndetësor. Po kaq rëndësi ka edhe mirëkuptimi i familjarëve të pacientëve, për të zbatuar rregulloren e hyrje-daljeve në spital. Nuk do të lodhem së përsërituri lutjen për çdo qytetar: Të zbatojmë rregullat e distancimit fizik dhe higjienën personale”.