Manastirliu: Partneritetet Publike-Private kosto-efektive, nis financimi për laboratorët
“Partneritetet Publike Private zënë vetëm 8% të buxhetit të shëndetësisë por kanë ndikuar me shërbime parandalese dhe jetëshpëtuese për 1.4 milion qytetarë”. Ministrja Manastirliu deklaroi në komisionin e Ekonomisë dhe Financave në Kuvend se me buxhetin e vitit 2020 nis financimi i partneritetit për laboratorët, duke filluar me qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” dhe me pas, sipas kontratës, do të shtrihet në 18 spitale.
“Trefishohen analizat që do të garantohen falas në 18 spitalet që do të përfshihen në këtë partneritet”, tha Ministrja Manastirliu gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2020.
Manastirliu vlerësoi kosto-efektivitetin e programeve si kontrolli mjekësor bazë, për rëndësinë që ka për parandalimin e sëmundjeve kronike.
“Gjatë këtij viti janë 100% e qytetarëve të targetuar që e kanë kryer kontrollin mjekësor bazë, duke zbuluar në kohë sëmundje kronike si diabeti, sëmundjet e zemrës apo edhe ato tumorale. Sipas vlerësimit të fundit të OBSh për Shqipërinë, programi i check-up konsiderohet kosto-efektiv”, tha Manastirliu.
Sipas raportit të OBSh-së, një popullatë ku sëmundshmëria kronike është në rritje të vazhdueshme dhe kultura shëndetësore nuk është aty ku duhet, programi i Kontrollit Mjekësor Bazë është mjeti më efektiv për të zbuluar në kohë sëmundjet kronike, të cilat zënë 90% të barrës së sëmundshmërisë në vend.
Buxheti për sektorët e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2020 parashikohet të jetë 77 miliardë e 735 milionë e 940 mijë lekë. Buxheti për sektorët e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2020 ka një rritje me 2.98 miliard lekë, krahasuar me 2019. Vetëm për sektorin e shëndetësisë rritja e buxhetit, krahasuar me buxhetin e vitit 2013 është 48% më shumë.
Gjatë vitit 2020 do të ketë 26 milion dollarë investime në shëndetësi. Me buxhetin 2020, rindërtohen 120 qendra shëndetësore, rikonstruksionin dhe mobilimin me pajisje të reja mjekësore të poliklinikave të Gjirokastrës dhe Dibrës, rehabilitohet dhe zgjerohet materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, vijon puna për ndërtimin e maternitetet të Beratit, Lezhës dhe Kukësit, pediatrisë së Durrësit, vijon modernizimi i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me ndërtimin e spitalit të ri modern të sëmundjeve të brendshme me vlerë 14.28 milionë euro, si dhe për spitalin e ri të pediatrisë me vlerë 9,1 milionë euro.
Buxheti i vitit 2020 mbështet financimin në vlerën 2 miliard lekë për bonusin e bebes dhe do të financojë pagesat e personave me aftësi të kufizuar për rreth 166 mijë përfitues. Gjithashtu buxheti i ri do të mbulojë pagesat për rreth 66 familje në ndihmë ekonomike.