Manastirliu publikon mesazhin e Yuri Kim: Lufta kundër COVID-19 s’ka mbaruar. Kur distancimi social nuk është i mundur, të vendosim maskat
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka publikuar mesazhin e ambasadores amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, një mesazh ndërgjegjësimi për situatën nga COVID-19.
“Ne kemi bërë një rrugë të gjatë, por lufta kundër COVID-19 ende nuk ka mbaruar. Masat e rrepta kanë ndihmuar në kontrollin e virusit, por tani nuk është koha për t’u çlodhur”, nis mesazhin e saj znj. Kim.
Në mesazhin e saj ambasadorja amerikane fton qytetarët të sillen me përgjegjësi, duke pranuar se ndonjëherë edhe ajo vetë nuk e ka vendosur maskën, por sipas saj nuk është kurrë vonë për të bërë gjënë e duhur.
“Le të bëjmë të gjithë pjesën tonë për njëri-tjetrin. Unë do të vendos maskë për ty, nëse ti do të vendosësh maskë për mua. E pranoj se ndonjëherë jam fajtore sepse nuk e kam vendosur maskën por nuk është kurrë vonë për të bërë gjënë e duhur. Prandaj, kur distancimi social nuk është i mundur, le të vendosim maskat dhe t’a mposhtim COVID-19 së bashku”, apelon ambasadorja amerikane në vendin tonë Yuri Kim.