Manastirliu: Standarde të unifikuara shërbimi në 28 qendrat shëndetësore verore
Në të 28 qendrat shëndetësore verore janë unifikuar të gjitha protokollet e shërbimit shëndetësor, ku nuk mungojnë barnat dhe pajisjet e nevojshme. Kështu u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në një intervistë për ERTV mbi planin e masave për të garantuar një sezon turistik të sigurt për të gjithë pushuesit në vendin tonë.
”Sot pashë nga afër në qendrën 24 orë të Shëngjinit si ofrohet shërbimi për pushuesit. Kjo është një qendër që ka pasur një frekuentim të lartë nga pushuesit dhe turistët. Nga 1 qershori që qendrat shëndetësore verore janë hapur kjo qendër ka pasur një fluks prej 1200 raste, ku pushuesit kanë paraqitur problematika të ndryshme shëndetësore. Ndërkohë që në të gjithë 28 qendrat shëndetësore verore janë ofruar më shumë se 9800 vizita të ndryshme”,-nënvizoi Manastirliu.
Sipas saj, në të 28 qendrat shëndetësore verore ne kemi unifikuar të gjitha protokollet e shërbimet, nuk mungojnë paketa e barnave me 52 lloje medikamente, kur përfshihen edhe medikamentet siç janë anti vipera apo antitetanikët, të cilët janë shumë të rëndësishëm në këtë sezon pushimesh, si dhe materialet mjekësore që janë po kaq të rëndësishme. ”Urgjencat mjekësore dhe verore, ato protokolle që mund të kryhen në një qendër shëndetësore ku ekipi në këto qendra përbehet nga mjekë dhe infermierë janë të protokolluara sipas protokolleve bazë, për raste që janë më të vështira transferohen në spitale”.
Manastirliu gjatë fjalës së saj i është përgjigjur pyetjes së gazetarit në lidhje me planin e masave që ministria ka ndërmarrë gjatë sezonit turistik për të ofruar siguri për turistët dhe pushuesit. ”Angazhimi i qeverisë shqiptare, i ministrive dhe i institucioneve, i vetë kryeministrit, në gjithë këto vite ka qenë një fokus i shtuar tek turizmi. Ne kemi punuar të drejtuar nga një task-force. Task-Forca është duke punuar me të gjitha institucionet, inspektoriatet për të garantuar kushtet higjieno-sanitare. Një plan masash i mirëfilltë është realizuar dhe tashmë po zbatohet”.
Sipas saj, nga 1 qershori mjediset akomodese, bare, restorantet, uji i pishinave po vlerësohen në mënyrë periodike. ”Janë kryer 2500 inspektime në subjekte apo njësi shërbimi, kemi marrë masa administrative dhe kemi rekomanduar për të përmirësuar shërbimet. Kjo është bërë në koordinim me të gjitha institucionet”. Lidhur me procesin e dezinsektimit, Manastirliu tha se “ky proces ka nisur me një hartë të zonave të nxehta të vlerësuar nga Instituti i Shëndetit Publik. Kemi filluar me Divjakën, Fierin dhe Shëngjinin dhe do të vijojë në gjithë Shqipërinë në ato zona të nxehta ku ky proces kryhet çdo vit”.
KOHA JONË SONDAZH

