Manastirliu: Të moshuarve që e kanë të pamundur të shkojnë në qendra, do t’u kryhet vaksinimi në shtëpi
Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kanë ndjekur nga afër procesin e vaksinimit masiv për të moshuarit në Laç, Mirditë dhe Lezhë. Manastirliu ka bërë me dije se ditën e sotme ne vend arrihet në mbi 100 mijë vaksinime të kryera.
”Po vijojmë në të gjithë qytetet dhe në fshatra, në qendra shëndetësore dhe qendrat e vaksinimit të oërqëndruar. Në të gjithë vendin vetëm në dy ditët e para të vaksinimit masiv janë kryer mbi 30 mijë vaksinime. Në total bashkë me dozat e dyta sot shkojmë në mbi 100 mijë vaksinime, nga dita e parë që kemi filluar vaksinimin”, tha Manastirliu.
Nga Rubiku, Manastirliu ka bërë me dije se të moshuarve që e kanë të pamundur të shkojnë në qendra, do t’ju kryhet vaksinimi në shtëpi. “E di shumë mirë që gjithë qendrat shëndetësore kanë bërë një punë voluminoze. Na duhet që të vijojmë tani me të gjithë të moshuarit. Edhe për ata që janë të pamundur për të ardhur në qendrën shëndetësore të shkojmë në shtëpi, t’ua bëjmë”, tha Manastirliu.