Manastirliu tregon se kur do të lehtësohen masat kufizuese
Kur shqiptarët presin dhe shpresojnë që ditët në vijim të jenë më të lirë dhë të shpëtojnë nga pandemia e Covid-19, sot qeveria foli për masa të reja që lidhen edhe me burgosjen e atyre që shkelin rregullat dhe masat kufizuese. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu thotë se hapja e masave do të jetë si rrjedhojë e vendimeve të Komitetit Teknik të Ekspertëve, të cilët vlerësojnë edhe situatën.
“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe ne do të tregohemi të kujdesshëm me hapjen me pikatore të masave. Është duke u bërë një vlerësim i kujdesshëm i hapjes së masave që do të pasohet me masa të reja që do të vendosen. Plani është i aktualizuar, por është dinamik dhe do të ketë në mbështetje të tij shifra dhe statistika të cilat na diuhet ti kemi përpara se të japim këto verdikte. Pra ditë pas dite duke vlerësuar si do shkojë ecuria e kurbës, si do jetë fluksi i pacientëve të spitalizuar, si do jetë mbarëvajtja e sistemit shëndetësor dhe mbi të gjitha si do shkojë ecuria e kubrës epidemiologjike ashtu do të vendoset edhe hapja e masave. Edhe kjo hapje e masave do të jetë si rrjedhojë e vendimeve të Komitetit Teknik të Ekspertëve që vlerësojnë dhe rekomandojmë hapjen e masave dhe si është strategjia e hapjes së tyre, pasi çdo plan që realizojmë po e realizojmë bazuar në të dhëna dhe projeksione”,-tha në “Ora News”.