Manastirliu: Vijojmë vaksinimin pa u ndalur derisa çdo shqiptar të marrë dozën jetëshpëtuese

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manatirliu, prezantoi arritjet e shëndetësisë në 8 vite. Gjatë prezantimit të saj, Manastirliu tha se nëse nuk do të ishin bërë investimet në shëndetësinë, menaxhimi i pandemisë do të ishte i pamundur.

“Në një vit beteje, mes sfidash të jashtëzakonshme në përballjen me një armik të rrezikshëm, nuk u dorëzuam për asnjë moment. Stafeve tona mjekësore nuk u ka munguar as mbrojtja, as trajtimi financiar me bonus, që nga dita e parë. Shërbimeve në spitalet tona nuk u ka munguar asnjë medikament, pjesë e protokolleve që përdoren sot kudo në botë. Qytetarëve nuk u kanë munguar, shërbimet e urgjencës, shërbimet në 4 spitalet Covid, shërbimet në spitalet rajonale që ne i ngritëm e fuqizuam, në përgjigje të pandemisë”, tha Manstirliu.

Duke folur për arritjet në shëndetësi nga viti 2013, Manastirliu tha se buxheti në shëndetësi është rritur me 77 %, ndërkohë që tha se sot qytetarët përfitojnë shërbime falas falë programeve të financuara nga qeveria.

“475 mijë persona përfitojnë falas paketën e analizave pa pagesë. Ashtu sikurse për herë të parë 110 mijë gra përfituan nga Programet kombëtare te depistimit të kancerit të gjirit dhe të kancerit të qafës së mitrës. Ngritja dhe funksionimi i saj, investimet në flotën e re të 100 autoambulancave, sidomos në kohët e fatkeqësive natyrore, na bën të gjithëve krenarë për atë çfarë kemi bërë! Kemi financuar 12 qendra dialize në të gjithë Shqipërinë, të cilat kryejnë pothuaj 180 mijë seanca në vit falas. U siguruam 101 qytetarëve të kryejnë falas transplantin e veshkës. Për gjyshet dhe gjyshërit që përfitojnë falas paketën e kataraktës dhe lentet. Për mbështetjen që i siguruam me Bonusin e bebes 400, 800 dhe 1200 dollarë, 72183 familjeve që u gëzuan me fëmijë në këto dy vite. Për fëmijët me probleme të thella dëgjimi të cilët, prej dy vitesh përfitojnë falas ndërhyrjen e implantit koklear. Për 36 mijë qytetarët që përfitojnë falas paketat kardiovaskulare me financim 100% nga shteti. Për trefishimin e financimit për medikamentet për trajtimin e tumoreve. Ashtu sikurse garantuam 100% mbulim falas për gratë me kancer të gjirit, me terapi të targetuara si herceptina apo sëmundje malinje të gjakut”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë në prezantimin e saj tha se kanë përfunduar vepra të pamendueshme 8 vite më parë ndërkohë që të tjera janë në ndërtim e sipër.

“Ne jemi sot krenarë, sepse kemi mbajtur premtime, edhe kur u gjendëm përballë ngjarjeve që natyra nuk të pyet kur t’i sjell. Si me Programin Kombëtar të 300 qendrat shëndetësore që rindërtuam nga veriu në jug. 1.2 milionë qytetarë marrin shërbime cilësore në kushte bashkëkohore. Si maternitetet e përfunduara në Korçë, Sarandë, apo ato në ndërtim në Tiranë, Berat, Lezhë dhe Kukës. Si spitali i ri Kirurgjikal në QSUT dhe Spitalet në ndërtim i Sëmundjeve të Brendshme dhe Spitali i Fëmijëve në QSUT. Si spitalet e reja në Elbasan, Pediatrinë në Durrës, Poliklinikat në Vlorë e Lushnje”, tha Manastirliu.
Duke thënë se rruga e shërimit të sektorit shëndetësor do të kërkojë kohë, Manastirliu tha se vetë ky proces do të ishte i pamundur pa mbështetjen për mjekët dhe infermierët që nga punësimi me meritë tek rritja historike e pagave.

“Rruga e shërimit të sektorit shëndetësor do të dojë kohë por dhe vetë procesi i shërimit, do të ishte i pamundur pa limfën e tij: mjekët dhe infermierët, të cilëve u rikthyem dinjitetin e munguar në këto tetë vite, nëpërmjet punësimit me meritë të 3500 infermierëve dhe mbi 1200 mjekëve me portalet Mjeke dhe Infermiere per Shqipërinë. Falë politikës së re të pagave, pagat për mjekët dhe infermierët u rritën 57% si dhe garantuam mbështetjen për cdo mjek që ofron shërbim ku ka nevojë vendi të marrë bonusin 2,5 mln lekë mbi page”, pohoi ajo.

Në fund të fjalës saj, Manastirliu vitin e fundit e ka qujtuar “luftë”, por që nuk jemi dorëzuar dhe se tashmë ka dritë në fund të tunelit pasi ka filluar dhe po vazhdon procesi i vaksinimit.

“Ky vit i fundit ka qenë luftë! Ka qenë luftë për ata qindra e mijëra mjekë dhe infermierë, që shërbejnë pa u lodhur, e i që i kam parë të derdhin djersë dhe lot në shërbim të pacientëve. Ky vit, ka qenë luftë për ata njerëz të dashur që i humbëm, për fat të keq, përballë një armiku të padukshëm dhe tinzar, që siç po e shohim, askush nuk e mposht dot aq kollaj. Ka qenë luftë për të gjithë ata qytetarë, që na kanë mbështetur dhe kanë luftuar bashkë me ne, si një trupi i vetëm, përballë krizës shëndetsore të shekullit. Por nuk jemi dorëzuar dhe as nuk do të dorëzohemi. Sepse tani ka dritë në fund të tunelit. Sepse, ne kemi nisur një fushatë, që bota po e sheh me shpresë si fillimin e fundit të pandemisë. Fushatën e vaksinimit. Sot ne kemi mbi 15 mijë jetë të mbrojtura. Shumë shpejt do të nisim vaksnimin e grupeve të tjera pa u ndalur, deri kur çdo qytetar shqiptar të ketë marrë dozën jetëshpëtuese”, -tha Manastirliu.

SHKARKO APP