Manja: Nga amnistia e fundvitit përfitojnë 620 të dënuar
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka dorëzuar në Kryeministri projektin përfundimtar të amnistisë së fundvitit për të dënuarit në burgjet shqiptare. Manja thotë se këtë vit është rritur numri i përfituesve nga amnistia, duke shkuar në 620 të dënuar që do të përfitojnë.
“Kemi reflektuar rekomandimet e kërkuara nga SPAK, KLGJ dhe Prokuroria e Përgjithshme, duke e bërë një amnisti dhe më të plotë, nga e cila do të përfitojnë 620 të dënuar”,-deklaron Ministri Manja.
Përmes kësaj amnistie, përfitojnë dhe përjashtohen nga vuajtja e dënimit, burrat e dënuar me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30.11.2023, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
Do përfitojnë meshkujt e dënuar me burgim, të cilëve deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet. Gjithashtu burrat e dënuar të cilët, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.
Përfitojnë dhe përjashtohen nga vuajtja e dënimit, gratë e dënuara, me burgim deri në 4 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30.11.2023, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi. Ndërsa femrat e dënuara me burgim, të cilave, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 4 vjet.
Po ashtu gratë e dënuara, të cilat në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji janë baras ose mbi moshën 50 vjeç. Po ashtu edhe personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.