Manjani: KLD të shkarkojë gjyqtarin Hoxha. Do ketë arrestime të tjera
Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani i kërkoi sot Këshillit të Lartë të Drejtësisë të shkarkojë gjyqtarin Ibrahim Hoxha, i cili u arrestuar mbrëmjen e djeshme për akuzën e korrupsionit. Hoxha u kap teksa po merrte 6 milionë lekë të vjetra nga një person, i cili ishte palë në një proces për çështje trashëgimie. Vendimi për gjyqin do të jepej sot nga gjyqtari Hoxha.
Duke e cilësuar reagimin e Prokurorisë për këtë çështje si një hap pozitiv, Ministri Manjani paralajmëroi arrestime të tjera. Deklarata e ministrit Manjani u bë sot në analizën vjetore të Gjykatës Administrative të Apelit.
“Mbrëmë prokuroria shqiptare finalizoi me sukses një operacion të nisur prej kohësh për arrestimin në flagrancë të një gjyqtari, kolegu juaj. Ishte një reagim proporcional. Reagime të tilla besoj se do të ketë prapë. Reagim që vijnë për shkak të një ngarkese të opinionit public me ngjarje jo fort të këndshme. Janë ngjarje dhe episode që kanë të bëjnë me faktin se punonjës të drejtësisë kapen në flagrancë duke future dorën në xhep tek një palë në gjykim”,- tha Ministri.
Ai shtoi se sot do të shpallej një vendim i blerë dhe vlerësoi punën e Prokurorisë.
“Përshëndes prokurorinë por dhe palët të cilët u bënë pjesë e kësaj veprimtarie hetimore të sukseshshme. Veprimtari e cila tashmë duhet të transferohet në dyert e gjykatave. Është radha e kolegëve tuaj që të distancohen nga kjo ngjarje tepër e rëndë. Ashtu siç nxis çdo qytetar që të mos harxhojë kohë të bëjë denoncime vend e pa vend port ë denoncojë në zyrën e prokurorit, policit gjyqësor që raste të tilla të jenë sa më të suksesshme të jenë e mundur. Ashtu siç i takon kolegëve të KLD-së që një orë e më parë ta shkarkojnë këtë gjyqtar për akte e sjellje që cenojnë rëndë figurën tuaj. Askush këtu në këtë sallë ashtu si shumica dërrmuese e trupës gjyqësore nuk ka ndërmend të paguajë kostot publike të elementëve të kësaj natyre. Është momenti ta tregojmë Për fat të keq sot është sindroma: Po je gjyqtar je I korruptuar. Duhet ta ndryshojmë këtë me një reagim proporcional public dhe jo duke u fshehur pas alibive ligjore, kishe të drejtë apo jo, kishe prova apo jo. Gjykata të distancohet hapur. Nuk ka kuptim të flasim për reformën në drejtësi nëse nuk kemi reagime të tilla proporcionale.Shqiptarët duan reagim jo më llafe”,- tha Manjani.
Po sot, Policia ka dhënë detaje nga arrestimi i gjyqtarit, Ibrahim Hoxha. Së bashku me të është arrestuar dhe djali i tij, si dhe dy persona që kanë qenë duke i dhënë ryshfetin.
Njoftimi i Policisë:
“Operacioni antikorrupsion “Berati 2”
Arrestohen në flagrancë një gjyqtar së bashku me djalin e tij , dhe 2 shtetas të tjerë që tentuan të ndikojnë me afera korruptive në gjyqin civil që do zhvillohej me datë 03.05.2016 ku njëri nga këta shtetas ishte palë. Më datë 02.05.2016, pas një hetimi proaktiv 6(gjashtë) mujor të kryer nga ana e Sektorit Për Korrupsionin në Drejtorinë për Krimin Ekonomik e Finaciar dhe Sektori Për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Seksionin Për Hetimin e Korrupsionit në Prokurorinë Për Krimet e Rënda, në kuadër të Operacionit policor “Berati 2” u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve :
- Ibrahim Hoxha, 57 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, me detyrë Gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
- Ledion Hoxha, 25 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, me detyrë Jurist në një firmë.
- Dritan Jazenxhiu, 48 vjeç, lindur në Tiranë dhe banues në Tiranë, biznesmen.
- Novruz Gajda ,48 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, (ish polic në Drejtorinë e Policisë Qarkut Berat).
Të lartpërmendurit u kapën në flagrancë në kohën që djali i gjyqtarit Ibrahim Hoxha, shtetasi Ledion Hoxha, mori 600 000 (gjashtëqind mijë) lek të reja nga shtetasi Novruz Gajda.
Këto para do i’a jepte gjyqtarit me qëllim ndikimi në gjyqin civil me palë Dritan Jazenxhiu për një çështje civile pronësie , vendim i cili do të shpallej më datë 03.05.2016 ora 9:30, tek Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Parat janë paguar nga Dritan Jazenxhiu , palë në proces civil me gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Ibraim Hoxhen.
Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan 600 000 lekë, një automjet tip Benz me targa AA 005 NC, dhe 4 telefona celularë.
Veprat penale të dyshuara se janë konsumuar janë “Korrupsion pasiv i gjyqtarit prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të Drejtësisë ”, e parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit , prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të Drejtësisë ”, e parashikuar nga neni 319 i Kodit Penal, “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike ” e parashikuar nga neni 245/1 dhe 25 i Kodit Penal”.