Manjani: Shqipëria sot krahasohet me Shqipërinë e vitit 1988

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i ftuar në emisionin e Adi Krastës në SYRI TV, konfirmoi se do të jetë i pranishëm tani e tutje edhe në një ekran televiziv me analizat e tij.

Manjani komentoi fillimisht sjelljen e presidentit Ilir Meta, duke theksuar sërish se “politikanit Ilir Meta i mungon skena politike. Edhe skenës politike i mungon Ilir Meta. Janë dy gjëra në vendin e gabuar”.

“Të gjithë politikanët në një fazë të jetës së tyre politike kanë paranoja. Kjo nuk është një gjë e mirë pasi nuk koincidon me atë që ndodh në realitet. Kjo i shkëput politikanët nga realiteti. Prandaj rotacionet janë të shëndetshme,” tha ai.

Megjithatë, Manjani tha se për shkak të strukturës aktuale shoqërore dhe ekonomike në vend, rotacioni bëhet i vështirë, por edhe i domosdoshëm.

“Shqipëria sot krahasohet me Shqipërinë e vitit 1988. Kemi një njeri të vetëm që kontrollon çdo gjë, por mbi të gjitha kemi një strukturë sociale të deformuar. Njerëzit në Shqipëri sot ose varen nga shteti, ose punojnë në një biznes që duhet ta ketë mirë me shtetin. Varësia e jetës së shqiptarëve është e kolapsur. Edhe koha e Vehbi Alimuçës ishte më e mirë se kishte Rrapush Xhaferrin si konkurrent.

Qytetarët nuk duhen ftuar për të votuar cjapin e radhës, por duhen ftuar që të dalin dhe të mbrojnë sistemin demokratik, liritë dhe të drejtat themelore kushtetuese që sot nuk ekzistojnë. Nuk duhet legjitimuar Edi Rama, që do të luajë rolin e Enver Hoxhës,” tha ai.

SHKARKO APP