Maqedonia e Veriut para një grushti shteti kushtetues, duan të heqin gjuhën shqipe si gjuhë e dytë zyrtare

Gjykata Kushtetuese në Maqedoni do të vendosë në shtator nëse do ta lërë në fuqi apo do ta shfuqizojë Ligjin për Gjuhën, sipas të cilit,  nëse do të ndodhë kjo e dyta, gjuha shqipe nuk do të jetë gjuhë e dytë zyrtare në Shkup.

Kujtojmë se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, i njohur ndryshe si “Ligji i Gjuhëve,” u miratua më 11 janar 2018 dhe hyri në fuqi në janar 2019. Ky ligj është një hap i rëndësishëm në procesin e integrimit të komuniteteve etnike dhe garantimit të të drejtave të tyre në përdorimin e gjuhëve në sferën publike dhe institucionale.

Ligji i Gjuhëve bazohet në Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2001, e cila kishte si qëllim të adresonte konfliktet ndëretnike në vend dhe të përmirësonte marrëdhëniet midis maqedonasve dhe shqiptarëve.

Pikat kryesore të ligjit përfshijnë:

Gjuha shqipe si gjuhë zyrtare: Ligji lejon përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në të gjitha nivelet e qeverisë, institucioneve publike dhe administrative nëse përbën mbi 20% të popullsisë në një zonë të caktuar. Shqiptarët përbëjnë rreth 25% të popullsisë në Maqedoninë e Veriut, prandaj ky ligj lejon përdorimin e gjuhës së tyre në shumë aspekte të jetës publike.

Përdorimi në institucionet qendrore: Në nivelin qendror, të gjitha institucionet shtetërore janë të detyruara të pranojnë dhe të përdorin gjuhën shqipe në komunikim zyrtar. Për shembull, parlamenti, presidenca, dhe ministritë janë të detyruara të ofrojnë shërbime në shqip.

Përdorimi në administratën publike: Administrata publike, si policia, gjykatat, dhe shërbimet publike, gjithashtu duhet të ofrojnë shërbime në gjuhën shqipe aty ku komuniteti shqiptar është i pranishëm në përqindje të madhe.

Kritika dhe sfida: Ligji është përballur me sfida dhe kritika, veçanërisht nga partitë politike maqedonase që e kanë parë si një kërcënim ndaj unitetit kombëtar. Ka pasur debate rreth kostos dhe zbatimit të tij, si dhe shqetësime për ndarjen etnike në vend.

Ky ligj është një nga përpjekjet më të rëndësishme për të forcuar bashkëjetesën dhe përfaqësimin e barabartë të të gjitha komuniteteve etnike në Maqedoninë e Veriut.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski ka paralajmëruar iniciimin e një nisme kundër gjuhës shqipe. Ai tha se “me ligjin për përdorimin e gjuhëve, politika ka krijuar një kaos juridik e që rezultoi me kaos politik”.

“Me ligjin për përdorimin e gjuhëve, politika ka krijuar një kaos juridik e që rezultoi me kaos politik, mosbesim dhe dilemma”, tha Kostadinovski. Në pritjet nëse Kushtetuesja do të shfuqizojë apo do ta lë në zbatim ligjin për gjuhët, Kostadinovski thotë se gjykata do të sjellë vendim të argumentuar dhe me bazë juridiko-kushtetuese.

“Ajo që është e rëndësishme, është të shihen argumentet objektive në vendimin cilido që të jetë, para se të jepet çfarëdo komenti. Vendimi i Gjykatës duhet të respektohet dhe pranohet si shprehje e pjekurisë të politikës dhe shoqërisë, vendimi të jetë kornizë orientuese për veprim të ligjvënësit”, ka shtuar ai.

Pas deklaratës së kreut të Gjykatës Kushtetuese, Kostadinovski, kanë ardhur edhe reagimet e faktorit politik shqiptar. Koalicioni VLEN i ka bërë thirrje Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut që të mos e hapë “kutinë e Pandorës.”

Sipas koalicionit iniciativa për shqyrtimin e Ligjit të Gjuhëve nga Gjykata Kushtetuese është një përpjekje për grusht shteti.

“Trupi Koordinues i VLEN-it, pa dëshirën për të ndërhyrë në kompetencat e Gjykatës Kushtetuese, e konsideron të rrezikshme dhe të papranueshme kërkesën e tyre për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Ne besojmë se kjo iniciativë, e cila buron nga forca të njohura për qëndrimet e tyre kundër NATO-s, është një përpjekje për grusht shteti përmes eksperimenteve juridike. Nëse kjo iniciativë pranohet, mund të çojë në një krizë të rëndësishme për arritjet kyçe të shtetit, duke përfshirë ndryshimin e emrit kushtetues, i cili u realizua pa firmën e presidentit të atëhershëm, Gjorge Ivanov, dhe që mundësoi anëtarësimin në NATO. Një akt i tillë do të rrezikonte stabilitetin dhe sovranitetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke kërcënuar seriozisht orientimin e saj euro-atlantik,” thuhet në njoftimin e VLEN pas mbledhjes së Trupit Koordinues.

Në këtë takim është diskutuar edhe për interpelancën nga kreu i Kuvendit Afrim Gashi, duke e cilësuar këtë iniciativë si përpjekje për destabilizim.

Nga ana tjetër, Agjencia Për zbatimin e Ligjit për Gjuhët e pakicave ka deklaruar se “nismat e këtilla janë kryekëput me karakter politik, nacionalist dhe antinjerëzor”.

“Gjuha shqipe u përket shqiptarëve dhe nuk rrezikon askënd. Tendenca për ta përjashtuar shqipen nga përdorimi zyrtar, është ide e vjetër e cila, siç e dimë, ka prodhuar tensione dhe konflikte”.

 

 

SHKARKO APP