Marilyn Monroe, 63 vite nga shuarja e mistershme e një ylli në galaksinë e ëndrrës amerikane
Nga Albert Vataj
Vdekja e saj nuk ishte thjesht një fund tragjik, por një fillim i mjegullt i një miti të përjetshëm. Më 5 gusht 1962, në një dhomë gjumi në Brentwood të Los Angeles-it, u gjet pa jetë trupi i Marilyn Monroe, një ikje që nuk pushoi së vezulluari as pas heshtjes së fundit. Nuk ishte një vdekje e zakonshme, ishte një skenë e fundit, një akt i errët në teatrin e famës dhe dëshirës, një mister që nuk u shua kurrë, përkundrazi, mbeti ndezur në hijet e supozimeve, në thashethemet e historisë, në teoritë konspirative që sfidojnë logjikën dhe faktin.
Ajo ishte më shumë se një aktore, më shumë se një ikonë seksi. Marilyn ishte një yll që nuk lindi për të qetësuar, por për të tronditur. Nuk ishte më e bukura ndër gratë, por bukuritë e tjera humbisnin ngjyrë para pranie së saj. Nuk ishte më sensualja, por ishte ajo që përvëlonte imagjinatat, që zgjonte dëshirat më të thella dhe të pathëna. Ishte ajo që i bëri për vete burrat më të pushtetshëm të botës, që nga vëllezërit Kennedy, tek Frank Sinatra, Arthur Miller dhe Joe DiMaggio, jo vetëm për hir të linjave të saj magjepsëse, por për shkak të asaj përzierjeje të rrallë mes brishtësisë dhe guximit, mes dëlirësisë fëminore dhe hijeshisë fatale.
Monroe ishte një manifest i shpërthimit estetik të pasluftës, një shëmbëlltyrë e ëndrrës amerikane, e një epoke që donte të jetonte shpejt, të shkëlqente fort dhe të harrohej me stil. Ajo nuk ishte thjesht simboli i viteve ’50, ishte shpërfaqja më e ndritshme dhe më tragjike e një kohe që e dehte veten me famë dhe epsh, me sukses dhe rrënim. Ishte një e përkëdhelur nga fati, por edhe një e ndëshkuar nga ai. E zhveshur nga intimiteti dhe paqja, Monroe u kthye në një ikonë që nuk dinte të fshihej më nga vetvetja.
Ajo e pati jetën si një film pa fund të lumtur, një narrativë me shkëlqim dhe zbrazëti, me magji dhe vetmi. Dhe kur u mbyll perdet, skena mbeti ende e ndezur. Vdekja e saj, e shpallur zyrtarisht si vetëvrasje përmes një mbidoze barbituratesh, kurrë nuk u besua plotësisht. Ishte më shumë një çelës për dyer të mbyllura, një sfidë për historianët dhe adhuruesit, një enigmë që nuk do të zgjidhej kurrë, por do të vazhdonte të joshte me po aq fuqi sa vetë jeta e saj.
Marilyn Monroe nuk vdiq. Ajo thjesht u shndërrua në mjegull, në kujtim, në simbol, në mall. Edhe sot, 63 vite më vonë, ajo mbetet një nga figurat më ndriçuese që ka kaluar ndonjëherë në ekranin e kinemasë, në pasarelat e modës, në galeritë e mitit modern. Vdiq për të jetuar më gjatë, për të sfiduar përfundimin. Vdiq, duke fituar edhe nga vdekja, një lavdi që nuk i vdiq me trupin, por u shumëfishua në çdo imazh të saj, në çdo shikim që rrëshqet mbi portretin e saj të përjetshëm.
Ajo ishte dhe mbeti ëndrra e ndaluar e Amerikës, grua që i përkiste të gjithëve, por që në të vërtetë nuk i përkiste askujt.
KOHA JONË SONDAZH

