Marokenët në Tiranë, krim ”importi” në Shqipëri

Kalimi transit në Shqipëri për dy marokenë dhe një palestinez, të mbërritur ilegalisht në vend, do të zgjasë disa vite dhe brenda qelive të burgut. Ata janë fajësuar nga Gjykata e Tiranës në dy procese të veçanta për krime, ku të dëmtuar janë po ashtu emigrantë të jashtëligjshëm në vend.

Referuar vendimeve gjyqësore të siguruara nga A2, emigrantët nga Maroku, Husein Elbechaeroi dhe Noreedin Boulan, duhet të vuajnë nga 3 vite e 4 muaj burg për akuzën e “vjedhjes me dhunë”. Ata kanë sulmuar një sirian, që ashtu si ata, bënte jetë endacaku në kryeqytet, pasi nuk ishin pranuar në qendrat e pritjes së të huajve.

Në procesin tjetër, një palestinez u shpall i fajshëm për akuzën e “vrasjes me dashje” mbetur në tentativë ndaj marokenit Abdul Nadhif. I pandehuri Ismat Hasanin u dënua 7 vjet burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar përfitoi uljen e një të tretës së dënimit. Në të dyja rastet, gjykata i ka vlerësuar të pandehurit të rrezikshëm shoqërisht, ndërsa ka vendosur që dënimin ta vuajnë në burgje të sigurisë së zakonshme.

SHKARKO APP