Marrëveshja e Pensioneve Shqipëri-Itali, Rama: “Motra” solli në Tiranë dokumentin final të procesit të gjatë ligjor
Në një kohë kur zhvillimet politike shpesh errësojnë lajmet që prekin jetën reale të njerëzve, një njoftim i bërë nga Kryeministri Edi Rama doli nga atmosfera e Samitit të Komunitetit Politik Europian për të ndarë me publikun si një “Lajm të Mirë” – të thjeshtë në formë, por të thellë në përmbajtje.
“Motra solli në Tiranë dokumentin final të procesit të gjatë ligjor mbi zbatimin e Marrëveshjes së Pensioneve me Italinë, që do të thotë se nga 1 qershori 2025 shqiptarët e Italisë do të nisin të përfitojnë nga kjo marrëveshje kuptimplotë për nivelin e ri të marrëdhënieve mes Shqipërisë e Italisë”
Në një postim të shoqëruar me fotografinë e Kryeministres italiane Giorgia Meloni, Rama konfirmoi finalizimin e procesit të gjatë ligjor për zbatimin e Marrëveshjes së Pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë, e cila do të hyjë në fuqi më 1 qershor 2025. Kjo do të thotë se mijëra shqiptarë që kanë punuar ndershmërisht në Itali do të përfitojnë më në fund nga një e drejtë e mohuar për dekada, njohjen dhe shpërblimin e kontributeve të tyre në të dy vendet.
Ky akt është më shumë se një marrëveshje teknike, është një akt dinjiteti dhe drejtësie. Ai u jep shqiptarëve të Italisë jo vetëm siguri sociale, por edhe ndjesinë e përfshirjes dhe respektit institucional në raport me sakrificat e tyre.
Italia, që ka qenë një nga portat e para të emigrimit masiv shqiptar pas viteve ’90, përfaqëson jo vetëm një vend pritës, por një hapësirë ku shumë bashkëkombës kanë ndërtuar jetën, familjen dhe kontributin e tyre në shoqërinë italiane. Marrëveshja e pensioneve është një formë institucionalizimi të kësaj historie, një njohje formale se ata nuk janë thjesht numra statistikash, por individë me jetë dhe punë të ndershme që meritojnë përkujdesje dhe reciprocitet.
Në gjuhën e përditshme politike shpesh përdoret shprehja “marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe”. Me këtë marrëveshje, Shqipëria dhe Italia tregojnë se miqësia ndërmjet dy vendeve nuk është vetëm një dekor diplomatik, por një marrëdhënie që përkthehet në mirëqenie për qytetarët.
Edhe më domethënëse mënyra se si u dha ky lajm, jashtë bujës së samiteve, me vëmendje të përqendruar. Një nderim simbolik për emigrantët tanë, të cilët kanë qenë shpesh më të harruarit në ndarjen e lajmeve të mëdha.
Nga qershori i këtij viti, e drejta e tyre për pension do të jetë më në fund një realitet. Dhe kjo është, pa dyshim, një arritje për Shqipërinë institucionale, një hap më tej në përforcimin e lidhjes së saj me diasporën.
Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

