Marrëveshja e Shqipërisë për vaksinën do të jetë sekrete
Prej datës 11 janar, në Shqipëri ka nisur edhe procesi i vaksinimit, por ende sot është sekrete marrëveshja që ka firmosur qeveria ”Rama 2” me një vend të Europës për sigurimit e dozave të para të vaksinave. Një vendim i qeverisë i publikuar në Fletoren Zyrtare, thotë se marrëveshja e shtetit shqiptar me kompaninë “Pfizer/BioNtech” do të mbetet sekret. Kjo marrëdhënie konfidencialiteti është kërkuar nga kompania, sipas qeverisë, e cila ka rënë dakord me këtë kusht.
”Marrëveshja për prodhimin dhe furnizimin, nga dhe ndërmjet Pfizer Export BV dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik, për shkak të sekretit tregtar dhe kërkesës së shprehur në marrëveshje nga Pfizer Export BV nuk do të publikohet në asnjë website të institucioneve apo në Fletoren Zyrtare. Të gjitha institucionet e përfshira në dhënien e mendimit, të miratimit apo janë pjesë e procesit kanë detyrimin të mos bëjnë publike marrëveshjen bashkëlidhur këtij akti normativ apo pjesë të saj”,-shkruhet në Fletoren Zyrtare.
Një strukturë e policisë së shtetit është ngarkuar me sigurinë e transportit të 500 mijë dozave të vaksinës në vend. Nga ana tjetër, një tjetër pikë shumë e rëndësishme, mbajtur deri tani sekret nga qeveria, ka të bëje me transportin vaksinës nga momenti i mbërritjes në doganë deri në pikën e vaksinimit. Sipas aktit normativ sigurimi i transportimit të dozave nga Pfizer do të merret përsipër nga policia e shtetit.