Marrëveshja me Covax, Mjeku: Vaksina mund të vijë në shkurt-mars, s’mund të presim të infektohet gjysma e popullatës
Mjeku imunolog, Genc Sulçebe në një lidhje live për rubrikën ”Opinion” në News24 ka garantuar se i vetmi mjet për të ndaluar pandeminë është vaksina ndaj COVID-19.
Shqipëria tashmë e ka arritur marrëveshjen me ‘Covax’. Projektligji është depozituar në Kuvend dhe Shqipëria ka porositur 1 milionë e 140 mijë vaksina për 3.9 milionë dollarë.
Sulçebe parashikon që vaksina në Shqipëri mund të vijë në shkurt-mars, teksa shton se këto 4-5 muaj në pritje do të jenë shumë të vështirë dhe duhen mbajtur masa.
Sa i përket maskës Sulçebe tha se është një masë efektive që duhet kombinuar së bashku me distancimin social dhe duke shmangur prekjen e fytyrës me duar jo të dezinfektuara. Për maskën kirurgjikale thotë se nuk duhet përdorur më shumëse 4-5 herë në ditë, kurse ajo tekstile mund të mbahet më gjatë dhe të pastrohet ditë për ditë.
PYETJA: Ende shqiptarët kanë pikëpyetjet e veta për vaksinën? Çfarë këshillash keni, a duhet bërë?
GENC SULÇEBE: Është një fakt i njohur, që vaksinat kanë bërë epokë në shëndetin publik. Janë bërë që 200 vjet më parë, që realizohen nga moshat e reja. Kanë zgjatur jetëgjatësinë e njeriut. Edhe vaksina ndaj COVID-19 është e domosdoshme për të ndërprerë pandeminë.
S’ka rrugë tjetët dhe për t’u arritur imuniteti kolektiv. S’mund të presim të infektohet gjysma e popullatës shqiptare që popullata jonë të krijojë imunitet.
E vetmja rrugë për imunitetin kolektiv që të ndërpritet epidemia dhe të dalim nga kjo gjendje.
Ka jo vetëm teori, por hipoteza pseudoshkencore dhe hidhen për të frikësuar dhe për të reaguar në mënyrë jo adekuate. Vaksina është e vetmja që mund të shkurtojë zgjatjen e pandemisë.
PYETJA: A është efektive maska?
GENC SULÇEBE: Duhet të kemi parasysh një fakt, që deri tek vaksina do jetë një periudhë shumë e vështirë. në rastin më të mirë vaksina s’mund të vijë para muajit shkurt-mars, shpresoj që të vijë më parë. S’kemi rrugë tjetër vetëm duke u mbrojtur me masat, si distancimi fizik. Si dhe maska. Këto të dyja duhet të aplikohen së bashku. S’mund të mbajmë maskë dhe të rrimë ngjitur, apo e kundërta. Si dhe s’duhet prekur fytyra me duar jo të dezinfektuara.
Njerëzit e dytë, të tretë duhet të shihen si të dyshimtë. Sa i përket maskave, ajo kirurgjikale është e lehtë dhe efektive, por duhet ndryshuar çdo 4-5 orë ose 6 orë. Kurse ajo tekstile përdoret më gjatë, por duhet larë çdo ditë.