Marrëveshja me Greqinë, Ngjela: 10 mijë punëtorë janë rreth 200 milion dollarë, Rama e theu karantinën për tregun
Avokati, Spartak Ngjela, e cilëson një zhvillim shumë pozitiv arritjen e marrëveshjes me Athinën zyrtare për punëtorët sezonalë.
Për Ora News ai thotë se kjo do të jetë një ndihmë e madhe për ekonominë.
Por problemin ai e sheh te çështja epidemiologjike, rreziku që ekziston për shëndetin e këtyre punëtorëve që do të shkojnë në Greqi, por edhe risku për ta sjellë virusin Covid-19 në Shqipëri kur të kthehen.
Ngjela: Do tu jepet kjo mundësi nuk jemi të sigurt. Por deri në 50 mijë shqiptarë kanë shkuar në Greqi gjatë sezonit të vjeljes së frutave dhe ka qenë në të mirë të ekonomisë shqiptare. Ky është mendimi ligjor grek, nuk e dimë çfarë mendimi ka kryeministri shqiptar dhe qeveria shqiptare. Ne i kemi të mbyllura rrugët me Greqinë, edhe Greqia me ne, por i ka hapur përmes parlamentit. Më tej çfarë do të ndodhë, këta 10 mijë do të ikin dhe nëse ikin kur të kthehen do të vinë në karantinë? 10 mijë punëtorë atje janë rreth 200 milion dollarë. Problemi është nëse ky tani do të thyejë karantinën për tregun? Mendoj se po.
Por problemi është po individët a rrezikohen në Greqi, është gjendje më e rëndë atje. Nuk e dimë se në çfarë zonash do të shkojnë këta. Infektimi i tyre risjell epideminë në Shqipëri. Mirë shkuan, po kthimi? Për tu kthyer i dinë shtigjet, nuk kanë nevojë fare të vinë nga kufiri. Nuk është gjendja aq e sigurt sa mund të mendohet. Por që ekonomia fiton një sasi të madhe dollarësh apo eurosh nuk diskutohet. Janë 10 mijë të punësuar dhe marrin 1000-1500 euro në muaj. Duhet ta shohim hap pas hapi si do ta argumentojë Kryeministri shqiptar këtë aferë.
Të paktën 10 mijë shqiptarë mund të punësohet përkohësisht në Greqi në sektorin bujqësor.
Herët të shtunën parlamenti grek miratoi ndryshimet ligjore që përveç hapjes së kufijve për këta punëtorë sezonalë, parashikon edhe punësimin e tyre pa vizë pune.
Shqiptarët e interesuar duhet të aplikojnë përmes platformës punenegreqi.gr.