Marrëveshja me Italinë për pensionet, Ilir Meta: Qeveria po bën hipokrizi, ka 15 vite që negociohet
Kreu i Parisë së Lirisë, Ilir Meta në një deklaratë për mediat ka folur për marrëveshjen e lidhur mes Shqipërisë dhe Italisë për pensionet, duke u cilësuar si një arritje të vonuar.
Sipas Metës, kjo marrëveshje “nxjerr zbuluar hipokrizinë e qeverisë shqiptare” për marrë suksesin për arritjen e kësaj marrëveshjeje, ndërkohë që ka 15 vite që negociohet.
Ndër të tjera, kreu i PL u shpreh se qeveria po mban një standard të dyfishtë, pasi ka përjashtuar nga skema e pensionit dhe përfitimit të gjithë ata qytetarë që jetojnë në Shqipëri dhe që kanë kontribuar më pak se 15 vite pune, ndërkohë që njeh kontributet nën 15 vjet në rastin e marrëveshjeve me shtetet e tjera.
“Për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie Partia e Lirisë do të propozojë një iniciativë ligjore për ndryshimin e skemës së sigurimeve shoqërore për t’u mundësuar të gjithë atyre personave të cilët nuk i kanë plotësuar vitet e nevojshme të punës sipas ligjit, të përfitojnë pension të pjesshëm të pleqërisë, pavarësisht se kanë më pak se 15 vite gjithsej pune”, u shpreh ai.