Marrëveshja me KFW për investime të reja në ujësjellës, ministri Malaj: Mbi gjysma e popullsisë urbane do të ketë furnizim më të sigurt me ujë

Qeveria kërkon në Kuvend ratifikimin e një marrëveshje huaje prej 47 milionë eurosh për investime në rrjetet e ujësjellësit dhe kanalizimeve në disa qytete. Marrëveshja është lidhur me Bankën Gjermane për Zhvillim KfW dhe lidhet me fazën e dytë të programit “Infrastruktura Bashkiake V”. Ministri i Financave, Petrit Malaj thotë se projekti synon të përmirësojë furnizimin me ujë të pijshëm dhe sistemet e kanalizimeve në Shkodër, Lezhë dhe Sarandë.

“Vijmë sot para jush për ratifikimin e marrëveshjes së huas midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë, përmes Bankës Gjermane për Zhvillim KfW. Kjo marrëveshje lidhet me zbatimin e një prej programeve më të rëndësishëm për investimet në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve në nivel kombëtar, programin ‘Infrastruktura Bashkiake V’”, tha Malaj në Kuvend.

Programi “Infrastruktura Bashkiake V” është ndarë në dy faza. Faza e parë ka një vlerë totale prej 148.5 milionë eurosh, ku 80 milionë janë kredi dhe pjesa tjetër grant nga Bashkimi Europian dhe donatorë të tjerë. Investimet e kësaj faze po realizohen në Shkodër, Lezhë, Elbasan, Fier, Berat dhe Vlorë. Ndërkohë financimi total për fazën e dytë arrin në 50 milionë euro. “Financimi i siguruar përfshin 47 milionë euro kredi nga KfW dhe 3 milionë euro grant”, tha ministri. Kredia ka afat shlyerjeje 15 vite, me 5 vite pa pagesë të principalit dhe me normë interesi fikse 3.9%.

Swiss Digital Desktop Reklama

Për fazën e dytë pritet edhe një grant nga Bashkimi Europian. “BE nëpërmjet instrumentit WBIF do të akordojë një grant shtesë prej 36.96 milionë euro për ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura në Lezhë dhe Sarandë, duke mbuluar rreth 70% të vlerës së investimeve përkatëse”, tha ministri. Sipas Malajt, projekti është pjesë e objektivit për përmirësimin e shërbimeve të ujit dhe kanalizimeve në vend. “Ky nuk është thjesht një projekt infrastrukturor, por një investim me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, në zhvillimin ekonomik të rajoneve dhe në mbrojtjen e mjedisit”, u shpreh ai.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ministri theksoi edhe përfitimet konkrete që pritet të sjellë projekti për qytetarët dhe ekonominë lokale. “Projekti do të sjellë një sërë përfitimesh konkrete për rajonet ku do të zbatohet. Së pari, furnizim më të qëndrueshëm me ujë të pijshëm. Mbi gjysma e popullsisë urbane do të ketë akses në furnizim më të sigurt dhe më të qëndrueshëm me ujë, me më pak ndërprerje dhe më pak humbje në rrjet”, tha Malaj. Ai shtoi se investimet do të ndikojnë edhe në përmirësimin e kushteve sanitare.

“Në Lezhë dhe zonat përreth, investimet në kanalizime dhe drenazh do të reduktojnë përmbytjet urbane dhe do të përmirësojnë ndjeshëm kushtet e jetesës për qytetarët dhe bizneset”, u shpreh ministri. Sipas tij, projekti do të ketë ndikim edhe në mbrojtjen e mjedisit dhe turizmit, veçanërisht në zonat bregdetare. “Në Sarandë, ndërtimi i impianteve moderne të trajtimit të ujërave të ndotura do të reduktojë ndotjen dhe do të mbrojë pasuritë natyrore”, tha Malaj. Ai shtoi se përmirësimi i shkarkimeve në lumenj si Drini, Buna dhe Osumi do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ekosistem dhe në zhvillimin ekonomik lokal. “Infrastruktura e qëndrueshme e ujit mbetet një kusht themelor për investimet private, zhvillimin e turizmit dhe rritjen e punësimit në nivel vendor”, tha ministri, duke u kërkuar deputetëve miratimin e marrëveshjes.

Ministri dha edhe disa të dhëna për bashkëpunimin me bankën gjermane. “Deri tani portofoli i investimeve nëpërmjet kredive llogaritet në rreth 1.1 miliardë euro, me 57 kredi të nënshkruara. Rreth 35% e investimeve i përkasin sektorit të energjisë, rreth 38% furnizimit me ujë të pijshëm dhe rreth 15% mbështetjes buxhetore”, tha ai. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, deri në fund të janarit 2026, vlera e kredive të disbursuara për projektet aktive nga kjo bankë arrin në rreth 432 milionë euro.

Gjatë fjalës në Kuvend, Malaj foli edhe për uljen e borxhit publik i cili gjatë 5 viteve të fybdut është ulur me 21 pikë përqindjeje. “Borxhi publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto vijoi tendencën rënëse duke u ulur në 53.04% të PBB në fund të vitit 2025, nga 54.21% që ishte në fund të vitit 2024”, tha ai. Në fund të dhjetorit 2025, borxhi i brendshëm përbënte 59.4% të stokut të borxhit të qeverisë qendrore, ndërsa borxhi i jashtëm 40.6%. Rënie kanë pesuar edhe kostot e borxhit. Yield-i mesatar i letrave me vlerë të qeverisë zbriti në 4.23% gjatë vitit 2025, nga 4.56% një vit më parë, ndërsa kosto mesatare e borxhit të jashtëm ra në 3.53% nga 3.70%.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?