Marrëveshja me PD, Kryemadhi: Një nga pikat e panegociueshme për palët është çështja e rindërtimit
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, pasditen e së premtes zhvilloi një takim me strukturat në Kashar, ku ndër të tjera tha se nga marrëveshja me PD-në që do të nënshkruhet në ditët në vijim, për të dyja palët është që çështja e rindërtimit është e panegociueshme. ”Prandaj dhe unë ju ftoj që të gjithëve më 25 prill, që të kemi mundësinë për ta ndryshuar këtë gjë. Por duke komunikuar me njerëzit, duke shkuar shtëpi më shtëpi, duke biseduar me ta. Duke i nxitur për të shkuar drejt votimit. Nëse nuk duan të votojnë LSI-në, le të votojnë PD-në, nëse nuk duan as PD-në le të votojnë këdo tjetër, por mjafton mos të votojnë Rilindjen”,-tha Kryemadhi.
Fjala e plotë
Një nga problemet që ne kemi pasur gjithmonë, në kontaktet me qytetarët, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë, njerëzit presin të shikojnë diçka ndryshe nga ajo çfarë është reale sot. Është sa qesharake, por edhe e dhimbshme kur dëgjon guximin që ka kryeministri për të thënë që Shqipëria buzëqesh. A mund të thotë si mund të buzëqeshë e gjithë Shqipëria kur është larguar rinia shqiptare? Kush prind është ai që buzëqesh kur nuk e ka fëmijën e tij në shtëpi? A mund të qeshi Shqipëria, kur mjafton t’u drejtohesh bizneseve shqiptare, ku pjesa më e madhe e tyre janë drejt falimentit dhe jetojnë nën çdo formë presioni. Bizneset shqiptare sot marrin kredi dhe para borxh për t’u dhënë rrogat punëtorëve, për mos ta mbyllur biznesin. Dhe nuk mund të thuash që ky biznes buzëqesh. Nga ana tjetër po të pyesësh mësuesit për shkak të frikës nuk arrijnë dot të artikulojnë mendimin e tyre, sepse i heqin nga puna. Nuk mund të thuash që arsimi ynë buzëqesh, por përkundrazi.
Shqipëria po buzëqesh sa po buzëqesh shëndetësia falas, që është në fakt shëndetësia më e shtrenjtë në rajon. Nuk mund të thuash Shqipëria buzëqesh kur në fakt sot kemi më shumë vdekje sesa lindje në Shqipëri, ajo që nuk ka ndodhur që nga Lufta e Dytë Botërore. Pra kanë ndodhur disa dështime, që për hir të së vërtetës janë jo vetëm dështime të kryeministrit dhe Rilindjes, por edhe ne me indiferencën tonë, duke mos reaguar aty ku duhet të reagonim si klasë politike, qytetarët duke mos reaguar duke shkuar për të votuar e për ta ndëshkuar me votë, ja kemi krijuar hapësirën këtij njeriu që në fakt të tallet me fatkeqësinë tonë, të tallet me pamundësinë e qytetarëve shqiptarë, të tallet me varfërinë e qytetarëve shqiptarë dhe të kërkojë të blejë edhe të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve.
Prandaj dhe unë ju ftoj që të gjithëve më 25 prill, që të kemi mundësinë për ta ndryshuar këtë gjë. Por duke komunikuar me njerëzit, duke shkuar shtëpi më shtëpi, duke biseduar me ta. Duke i nxitur për të shkuar drejt votimit. Nëse nuk duan të votojnë LSI-në, le të votojnë PD-në, nëse nuk duan as PD-në le të votojnë këdo tjetër, por mjafton mos të votojnë Rilindjen. Pse e them këtë? E them këtë sepse qytetarët duhet të shkojnë të votojnë. Duhet të shkojnë të votojnë për 1001 arsye, qoftë edhe për ata që kanë paguar faturat e kripura të Covidit dhe nuk u doli për zot, edhe për ata të cilëve iu premtuan pagat e luftës dhe nuk iu dha asnjë pagë lufte. Edhe për ata që iu mbyllën bizneset, edhe për ata që kanë pasur mundësinë të bënin diçka për jetë e tyre, por nuk i la kjo situatë. Për studentët, për banorët e Unazës së Re, për ata që duan të legalizojnë shtëpitë, për banorët e tërmetit, që edhe sot vazhdojnë u thonë që ju duhet të vini të na votoni ne, sepse po nuk na votuat ne nuk do t’u japin paratë e rindërtimit.
Përfitoj nga rasti që ta them përsëri, që edhe në marrëveshjen që ne do të nënshkruajmë me PD-në, një nga pikat që është e panegociueshme për të dyja palët, është çështja e rindërtimit, për ta çuar deri në fund dhe sa më shpejt rindërtimin e shtëpive të dëmtuara, për t’i rikthyer njerëzit në normalitetin e tyre, në atë që duhet të bëjë çdo qeveri e çdo klasë politike për qytetarët e saj.