Marrëveshja Turqi-Libi për detin nuk njeh territorin e Greqisë. Athina dëbon ambasadorin

Greqia ka njoftuar dëbimin e ambasadorit të Libisë në Athinë, për shkak të një marrëveshje të nënshkruar më 27 nëntor midis Libisë dhe Turqisë për hartimin e një kufiri detar midis dy vendeve afër Kretës. Mohamed Younis AB Menfi ka një afat prej 72 orësh për t’u larguar nga vendi, tha Ministri i Jashtëm Grek, Nikos Dendias, në një konferencë shtypi këtë premte. Dendias e quajti marrëveshjen Turqi-Libi një “shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar”.

Marrëveshja libiano-turke mund t’ia lehtësojë punën Ankarasë për eksplorimin e energjisë në det të hapur në Mesdhe ndërkohë që Greqia e sheh këtë veprim si shkelje të të drejtave të saj sovrane. Fqinji i Libisë Egjipti e hodhi poshtë marrëveshjen si “të paligjshme”, siç bëri edhe Qipro. Ndëkohë disa ekspertë pohuan për televizionin Al Jazeera se kjo marrëveshje detare e ka çuar Greqinë dhe Turqinë shumë pranë një konflikti të armatosur. Raportohet se Greqia ka dërguar në zonën e kontestuar në juglindje të Kretës forcat e marinës së saj për të penguar çdo anije turke që mund të nisë kërkimet për naftë. Sipas Reuters Turqia dhe qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Libisë nënshkruan marrëveshjen që përcakton kufijtë e tyre dhe një marrëveshje mbi bashkëpunimin e zgjeruar të sigurisë dhe ushtrisë, një hap që Turqia tha se po mbronte të drejtat e saj. Greqia menjëherë reagoi, duke e quajtur marrëveshjen absurde sepse injoroi praninë e Kretës midis brigjeve të Turqisë dhe Libisë.

Greqia dhe Turqia janë në mosmarrëveshje për një mori çështjesh, duke filluar nga të drejtat minerale në Detin Egje deri në Qipron e ndarë në vija etnike. Tensionet janë gjithashtu të larta për shkak të shpimeve turke në Qipro, dhe Bashkimi Evropian ka përgatitur sanksione kundër Turqisë si përgjigje.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?