Marrëveshje për menaxhimin e peshkimit në liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna dhe mbrojtjen e bimëve
Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave të Malit të Zi, Vladimir Jokovic, nënshkruan sot dy marrëveshje bashkëpunimi në fushën e bujqësisë. Dy marrëveshjet e firmosura gjatë mbledhjes së përbashkët Mal i Zi- Shqipëri ishin: “Për Mbrojtjen e Bimëve” dhe “Menaxhimin e Përbashkët të Qëndrueshëm të Peshkimit në liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna”.
Sipas ministres Krifca fokusi i marrëveshjes për “Menaxhimin e Përbashkët të Qëndrueshëm të Peshkimit në liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna” është sigurimi i peshkimit të qëndrueshëm nga pikëpamja mjedisore, ekonomike dhe sociale. Ndërkohë sa i përket marrëveshjes “Për Mbrojtjen e Bimëve” Krifca tha se çdo ngarkesë për eksport, e cila i nënshtrohet inspektimit fitosanitar, duhet të shoqërohet nga një certifikatë fitosanitare.
”Fokus i bashkëpunimi mes dy vendeve është sigurimi i peshkimit të qëndrueshëm nga pikëpamja mjedisore, ekonomike dhe sociale, teksa nxisin një industri dinamike peshkimi me standarde zhvillimi për komunitetet e peshkatarëve. Mbi bazën e kësaj marrëveshje çdo ngarkesë për eksport, e cila i nënshtrohet inspektimit fitosanitar, duhet të shoqërohet nga një certifikatë fitosanitare e përpunuar sipas modelit të përcaktuar në Konventën Ndërkombëtare të Mbrojtjes së Bimëve dhe e lëshuar nga autoriteti kompetent i Palës Kontraktuese”,-thotë Krifca.