Mbrëmja e kësaj të hëne në Tiranë po ofron skena dajaku, arrestime masive dhe terror në rrugicat e Kryeqytetit, nga ana e Policisë kundër protestuesëve. Janë riaktivizuar tensionet dhe përplasjet në protestë, aty ku për disa orë kishte rënë qetësia, por në marshimin e tyre nga Kryeministria për në Bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, papritur u hodh gaz lotsjellës nga tarraca e Ministrisë së Brendshme. Më pas një pjesë marshoi në ”Rrugën e Dibrës”, ku protestuesit kanë djegur kazanë të mbetjeve. Sakaq në zonën e Medresesë, efektivët e Policisë po kalojnë në çdo rrugicë, këmba-këmbës për të shpërndarë dhe shoqëruar protestuesit.
Ora 19: 50. Arrestimet me forcë dhe ndërhyrjet e policisë në rrugët e kryeqytetit kanë shkaktuar reagimin e ashpër të kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi. Pas pamjeve të publikuara, ku shfaqen efektivë policie duke ushtruar dhunë dhe duke shoqëruar të rinj në rrugë, Bardhi ka drejtuar akuza të forta ndaj drejtuesve të policisë dhe personave që, sipas tij, kanë urdhëruar ndërhyrjen.
VIDEO/ Arrestime masive në Tiranë, PD: Kë po dhunoni si kafshë, more të paburrë?
Ora 19:33. Një skenë e rëndë është regjistruar pranë Kishës Ortodokse, gjatë përleshjeve mes protestuesve dhe policisë. Shtatë efektivë kanë rrethuar një protestues, e kanë dhunuar me shkopa gome dhe e kanë shtrirë në tokë. Vijon reprezalja policore, që ndjekin protestuesit nëpër rrugët e kryeqytetit.
Ora 18:45. Një pjesë e protestuesëve po kalojnë në ”Rrugën e Dibrës”, ku po digjen koshat e mbetjeve. Një tjetër grup ndodhet te Bulevardi ”Dëshmorët e Kombit”.
Protestuesit qëndronin të ndarë në dy grupe, njëri pranë Kryeministrisë dhe tjetri te Parku Rinia. Pas mbërritjes së të rinjve të maskuar, të cilët u vendosën në krye të protestës, turma u zhvendos drejt Kryeministrisë për t’u bashkuar me grupin tjetër.
Protestuesit u kanë vënë flakën kazanëve të mbeturinave në zonën e Piacës, në një përpjekje për të ngadalësuar lëvizjen e forcave të policisë.
Situata në terren mbetet e tensionuar, ndërsa akti i djegies së kazanëve ka shtuar shqetësimet për përshkallëzimin e situatës dhe përplasjet e mundshme mes protestuesve dhe efektivëve të rendit.











