Marshimi për gjyqtaren, MD: U “gjakos” ministria për përgjegjësi që nuk i ka
Ministria e Drejtësisë ka reaguar pas protestës së shoqërisë civile pasditen e sotme, kundër dhunës në familje që disa ditë më parë shënoi viktimën e radhës, gjyqtares Fildeze Hafizi.
Të rinjtë aktivistë, në shenjë protestë kundër dhunës ndaj grave, kanë qëlluar simbolikisht me tollumbacë me bojë të kuqe godinën e Ministrisë së Drejtësisë, duke i bërë përgjegjëse për krimin e rëndë.
“Ministria e Drejtësisë ka mbështetur dhe mbështet çdo organizim të shoqërisë civile, kundër dhunës në familje dhe mosveprimit të autoriteteve publike për parandalimin dhe ndjekjen ligjore të këtyre rasteve. Ritheksojmë qëndrimin tonë të shprehur edhe më parë, se çdo organ publik që nuk ka përmbushur përgjegjësitë sipas ligjit, përfshirë këtu edhe sistemin gjyqësor, duhet të përgjigjet! Administrata vishet dhe penalisht për mosveprim“, thuhet në reagim.
Reagimi vijon: Ministria e Drejtësisë sqaron opinion publik se ka ushtruar dhe do të ushtrojë të gjitha përgjegjësitë që i ngarkon ligji në fuqi lidhur me rastet e dhunës në familje. Sipas legjislacionit në fuqi, Ministria e Drejtësisë ka përgjegjësinë e trajnimit të stafit mjeko-ligjor dhe përmbaruesve gjyqësore, si dhe të denoncojë mbrojtjen ligjore falas ndaj grave të dhunuara.
Këto përgjegjësi janë ushtruar me përgjegjshmëri dhe në të njëjtën mënyrë do të vijojnë të ushtrohen edhe në të ardhmen. Lëvizja e sotme e shoqërisë civile, ku gabimisht iu kërkua llogari Ministrisë së Drejtësisë për përgjegjësi që nuk i ka, apo kompetenca që nuk i disponon, nëpërmjet simbolikës së ngjyrosjes me bojë të kuqe të godinës së Ministrisë së Drejtësisë, nxjerr në pah nevojën e menjëhershme për të sqaruar mekanizmat dhe autoritetet përgjegjëse për parandalimin dhe ndjekjen e rasteve të dhunës në familje.
Të gjithë bashkë, duke përfshirë edhe shoqërinë civile, duhet të bëjmë më shumë në këtë drejtim, për të sqaruar në detaje veprimet dhe mekanizmat ligjore në dispozicion të të dhunuarve në familje.

