Martesa e fëmijëve, Manastirliu: Investim në edukim
Për 16 ditë me rradhë, në Tiranë u mbajtën konferenca, aktivitete kundër dhunës me bazë gjinore dhe në ditën e 16-të të aktivizimit, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu mori pjesë në takimin për martesat në moshë të hershme. Gjatë takimit të zhvilluar ku u prezantua studimi: “Martesa e Fëmijëve-njohuritë, qëndrimet dhe perceptimet ndër komunitetet e prekura në Shqipëri”, Manastirliu u shpreh se fenomeni i martesave të hershme përbën një nga format e dhunës me bazë gjinore.
“Së pari, martesa e fëmijëve është një shkelje e të drejtave të fëmijëve. Fenomeni i martesave të fëmijëve nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Duhet të pranojmë se është një fenomen që ndikon negativisht arsimimin, shëndetin dhe mirëqenien e djemve dhe vajzave. Efektet e tij janë edhe më afatgjata dhe kalojnë përtej fëmijërisë duke u shtrirë përgjatë gjithë jetës së tyre, si burra dhe gra e si prindër të ardhshëm duke shtuar gjasat e ripërsëritjes së ciklit të varfërisë dhe pabarazisë, e madje edhe dhunës në familje”,-tha ministrja.
Më tej, ajo argumentoi se arma më e fortë për të luftuar fenomenin është investimi në edukim. “Arma më e fortë që kemi ne në dorë është edukimi. Me nxitjen e arsimimit për çdo vajzë, për çdo fëmijë do të mund të flasim nesër për më pak vajza-gra, për më pak martesa të hershme, për më pak dhunë me bazë gjinore për më shumë vajza që zgjedhin vetë fatin e tyre”. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, renditi progresin e bërë në fushën e barazisë gjinore, mbrojtjes së fëmijëve dhe luftës kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, edhe ndaj fëmijëve.
Studimi cilësor i realizuar falë bashkëpunimit mes Fondin e Kombeve te Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) dhe Fondin për Popullsinë dhe Zhvillimin (UNFPA), në bashkëpunim me Observatorin për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Rinjve dhe me mbështetjen financiare të Qeverisë së Suedisë si dhe mbështetjen e ministrisë së Shëndetësisë, sjell zërin e nënave dhe baballarëve, të rinjve dhe të rejave, mësuesve, arsimtarëve dhe profesionisteve të tjerë. Përtej veçorive social-kulturore të grupeve vulnerabël si është komuniteti rom dhe egjiptian, këta fëmijë detyrohen të lidhen në martesë.
Të dhënat mbi shkallën e përhapjes që vinin nga Anketa Demografike dhe e Shëndetit(ADAG) 2008-2009 tregonin që një ndër dhjetë (9%) gra të moshës 20-49 vjeç janë martuar për herë të parë para moshës 18 dhe se 7% e vajzave dhe grave të moshës 15-19 vjeç ishin martuar ose ishin në bashkëjetesë. Duke u ndalur te rëndësia e parandalimit të dhunës, Manastirliu tha duhet të jemi të gjithë bashkë për të luftuar këtë fenomen. “Gratë nuk lindin gra, ato lindin vajza ndaj që në vogëli duhet të punojmë për edukimin e tyre sepse arsimimi por edhe fuqizimi ekonomik i gruas janë elemente thelbësore për të reduktuar këtë fenomen, që për fat të keq, është ende i përhapur në shoqërinë tonë”.
Ministrja Manastirliu tha se pas hapjes së qendrës së parë për trajtimin e viktimave të dhunës seksuale në Shqipëri LILIUM, puna do të vijoj për hapjen e qendrave të tjera LILIUM në të gjithë Shqipërinë. Në fund të fjalës së saj, Manastirliu tha se në këto 16 ditë të aktivizimit kundër dhunës por jo vetëm këto ditë, ka vend për më shumë reflektim, në mbrojtje të grave, sepse të drejtat e grave janë të drejta të njeriut, e si të tilla duhet të respektohen.
KOHA JONË SONDAZH

