Martin Leka: Berishës i mbeti arra në fyt
(Botuar me 17 mars 1995 në KOHA JONE)
Nga Martin Leka-
Arrat që deshën të godisnin dy deputetë, goditën Berishën e Dragoshin
U duk si papritur futja në rend të ditës e diskutimit mbi imunitetin e përfolur shpesh kohët e fundit të deputetëve të PD, Genc Ruli e Rexhep Uka. Kjo për faktin se disa deputetë e dinin këtë problem si temë e diskutimit për javën tjetër dhe më qartë u duk me ardhjen rreth gjysmë ore me vonesë të njërit prej atyre që pritej të bëhej kurban, deputeti Uka. Ndërkohë, në mbledhjen e grupit parlamentar të PD ka ardhur dje edhe Presidenti Berisha, por që për çudinë e të gjithëve, ka folur vetëm për takimet e tij në Kopenhagen. Ndoshta ka kujtuar se vetëm prezenca e tij është e mjaftueshme për të zbatuar kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm? Në fillim, diskutimet ishin të qeta e tingëllonin gati-gati si slogane të luftës kundër korrupsionit pa u shprehur plotësisht. Megjithatë, socialistët u shprehën ashpër me termat e tyre kundër korrupsionit dhe anatema të tyre donin të flisnin më tepër për korrupsionin në organet më të larta të shtetit, ndërkohë që për çështjen në fjalë një deputet socialist e cilësoi Rulin si “ndër më të pasurit e Ballkanit”. Rreth drekës, deputeti Abdiu duke shprehur indinjatën e tij, ju drejtua Arbnorit “pse e rrethoni Parlamentin me SHIK e polici”? Kjo u duk edhe në fjalën e Rulit, i cili u bëri thirrje deputetëve: “Më garantoni barazinë në raport me forca të barabarta”. Dukej që diçka policore po përgatitej, ndërkohë që edhe në lozhën e parlamentit dukeshin për herë të parë njerëz që kishin lidhje pikërisht me prangat?! Diskutimet e socialistëve gjer në atë kohë të ekuilibruara, duket se ndërruan udhë pikërisht pas diskutimit të deputetit Hajdari i cili i akuzoi ata si mbrojtës të korrupsionit edhe për faktin se kanë kryetarin e tyre në burg pikërisht për këtë qëllim. Kjo ngjalli reagim në radhët e deputetëve socialistë. Në përfundim të diskutimeve të deputetëve, një deklaratë e kryetarit të kryesisë së Kuvendit Popullor, zotit Pjetër Arbnori “shokoi” për një çast deputetët e të pranishmit në sallë dhe ndoshta edhe vendosi mbi fatin e mëtejshëm të votimit. Në përgjigje të një deputeti i cili tha se mund të futen në burg Pjetër Arbnori deklaroi: “jo zotni, nuk do të arrestohen deputetët Ruli e Uka edhe nëse t’ju hiqet imuniteti. Në qoftë se arrestohen unë do të jap dorëheqjen menjëherë”. Pas kësaj deklarate u formua komisioni i votimit të fshehtë nga ku në përfundim të tij nuk u miratua heqja e imunitetit të deputetëve Ruli e Uka. Kështu, pas shumë përplasjesh e shtyrjesh të këtij problemi dosja e arrës përfundimisht futet në arkivin e Prokurorisë së Përgjithshme. Gjithçka është shkruar e s’është shkruar për çështjen e arrës, e cila herë bëhej trup 100 metërsh e herë lëvozhgë e kalbur. Por, pas mbrëmjes së djeshme, ajo që nuk është bërë është vetëm shkarkimi i Prokurorit të Përgjithshëm. Ky parlament i cili e sfidoi vetëm kohët e fundit dy herrë rresht këtë të fundit, një herë me çështjen Brozi e tani me çështjen Ruli-Uka, tregon për faktin se tashmë ky parlament duhet të votojë jo më për imunitetin, por për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Por në kontekstin tjetër, humbja e dytë dhe ndoshta më e madh, është humbja e Berishës, duke mos harruar këtu konfliktet e tij lidhur me idetë e Selamit për Kushtetutën, që janë ndoshta më parë, edhe ide të Rulit. Rezultati i votimit me një diferencë shumë më të thellë se në rastin e Brozit tregon më në fund se “vrimat”në “fuçinë me ujë” të PD po shtohen. Kështu, në luftën duke gjuajtur me arra njëri tjetrin, PD e PS goditën me aq sa mundën njëri tjetrin, ndërkohë që asnjë kokërr prej tyre nuk goditi as Rulin as Ukën. Arrat në kokë “goditën” Berishën e Dragoshin.
Martin Leka