Martin Leka: Pas ndalimit misterioz të gazetarit Filip Çakuli
(Botuar me 23 Qershor 1995 në KOHA JONE)
Nga Martin Leka-
Ngjarja e ditës se pardjeshme me gazetarin e RD e njëkohësisht kryeredaktorin e revistës “Hosteni”akoma e mban shijen e hidhur të “farmakut-SHIK”. Madje ndoshta kjo shije vetëm sa është ndjerë. Policët e SHIK-ut me uniformë civile këtë herë kanë bërë një “shaka” që mund t’i kushtojë shumë shtrenjtë edhe vetë shtetit. Nuk është zgjedhur nga SHIK-u ndoshta as gazetari “model”për të bërë një “shaka”të tillë. Themi “shaka”, pasi shtetit tonë me kohë i ka humbur serioziteti. Dhe për një gjë të tillë shteti, ka zgjedhur një “kloun” aspak inteligjent siç është SHIK-u. Gazetari i RD, kryeredaktori i një reviste të njohur dhe sekretari i Lidhjes së Gazetarëve Profesionistë, Filip Çakuli, është marrë nga shikasit një orë e gjysmë pas mesnatës, me makina policie dhe pa asnjë adresë. Një terror i vërtetë familjar, që më pas në orët e para të mëngjesit ka përfshirë edhe shumë të afërm, kolegë e miq të gazetarit Çakuli. Askush nuk ka ditur adresën e tij. Madje as krerë të dikastereve e të qeverisë. Në të gjitha rajonet e policisë së Tiranës, përgjatë 14 orëve të ndalimit, ka munguar “inventari Çakuli”. Madje sipas bashkëshortes edhe vetë ministri i brendshëm nuk ka patur dijeni për ndalimin. Çakuli është pyetur intensivisht për mundësinë e botimit të një kopertine ku informatorët kanë qenë të siguruar se përmbante Presidentin mes dy femrave lakuriqe, që në dorë kanë patur të shkruar secila emrat e tyre: PR dhe PSD. Ndërkohë, në numrin e radhës, Çakuli e hedh poshtë idenë e botimit të një kopertine të tillë. Por ndërkohë, shqetësuese janë ndoshta më shumë se pyetjet lidhur me kopertinën, ato lidhur me ambasadën e vendit nga ku ka prejardhjen Çakuli – atë greke, si dhe pyetje të tjera. E gjitha çka ndodhur me gazetarin në fjalë është një akt i rëndë i tipit policesk. Është cenuar rëndë liria e shtypit, liria e njeriut. Askush nuk e ndjen veten të lirë e të sigurt kur dëgjon për veprime të tilla të paimagjinueshme në një shtet demokratik. Askush nuk e di se kush e drejton këtë shtet – Sali Berisha apo Bashkim Gazidede. Mbrëmë rreth orës 22.00 njoftohemi nga redaksia dhe kolegjiumi i revistës “Hosteni”se “bocat e revistës të sekuestruara dhe të marra në mirëbesim përsëri dje rreth orës 8.30 nga dy policë/hetues me emrat Altin e Sokol të grupit hetimor të Çakulit dhe me adresën e bocave “për në Shtypshkronjën Eurolindja”, nuk janë çuar atje, sipas kësaj të fundit, por tek zyra e zv/Ministrit të Brendshëm, gjeneral Agim Shehu”. Është një tjetër akt i rëndë që i shtohet dhunimit të lirisë së shtypit. Siç duket, pas “miratimit” të SHIK-ut, u dashka edhe “korrektura” e gjeneralëve. Gjithçka duket si një shaka e madhe, të “qeshurat” e së cilës sjellin më pas hidhërim e qarje…