Martirët e Kishës sonë, dëshmi e vlerave universale të shqiptarëve!
Nga:Albina Deda
Ata janë 40 martirë të këtyre trojeve që sot lumnohen nga Vatikani. Sheshi Shën Pjetër edhe sot po flet shqip. Nuk ka si të mos sjell ndërmend dhjetorin e vitit 2013 kur në Katedralen e Shkodrës u zhvillua seanca e fundit e Gjyqit Kanonik Kishtar për të vendosur Lumnimin e tyre. Tetë vite vazhdoi ky gjyq e në përfundim i dërguari i posaçëm i Papa Benediktit XVI, kardinali Cladio Hummes tha;”Këta martirë i bëjnë nder Shqipërisë pasi i japin emër ndërkombëtar si popull me vlera Universale”. Ky konstatim dëshmon edhe se të martirizuar ata vazhdojnë të ndriçojnë ndër këto troje dritën e besimit tek e ardhmja. Ata janë 40.
Ky numër nuk është rastësi as në historinë dhe as në numëralogjinë kishtare! Në vitin 320, 40 martirë në Melitenë të Armenisë Romake u ekzekutuan. Ata u lanë lakuriq në një liqen të ngrirë ku dhe ndërruan jetë, por asesi nuk pranuan të mohojnë fenë e krishterë. Ky makabritet për fat të keq u përsërit shekullin e kaluar në trojet tona po me 40 martirë. Nga këta vetëm njeri është viktimë e kohës së Mbretërisë dhe një tjetër i vrarë nga dhuna Serbe në Kosovë, ndërsa 38 janë viktima të mizorisë e barbarisë së diktaturës komuniste në Shqipëri! Që nga Imzot Vincens Prennushi e deri tek Dom Gjon Gazulli secili ka një histori torturë e makabriteti, por dhe një histori qëndrese e lavdie. Ne sot lutemi për martiret. Lutjes sonë i bashkohet jo vetëm krishterimi, por mbarë qytetërimi botëror! Ata janë jo vetëm krenari, por së pari dëshmi, dëshmi që duhet të na shoqërojë që ky vend të mos gabojë.
Ata sot na ftojnë që të reflektojmë thellë se ku jemi e ku duhet të jemi! Është paradoks që sot në Ditën e Lumnimit të këtyre martirëve, Shqipërinë e drejtojnë bijtë dhe pinjollët e atyre që urdhëruan ekzekutimin e tyre. Biles ata jo vetëm nuk njohin fjalën ndjesë e falje për atë mizori që shkaktuan eterit e tyre por përkundrazi dekorojnë ekzekutorët e kriminelët. Nuk dekoroi Edi Rama hetuesin që me pashpirtësi torturoi At’Zef Pllumin?
A nuk gëzon sot pension special kryeprokurori i diktaturës, kryekrimineli Aranit Çela?! Jo vetëm kaq, por banda e pinjollëve të kuq ka rikthyer haptazi dhe fjalorin bolshevik të etërve duke fyer e deskretituar martirët. A nuk shohim sot sesi tallet e ironizon Kryeministri bllokmen Edi Rama martirët që u vranë nga Mehmet Shehu në Lushnje apo martirët e Qafë-Valmirit në Mirditë?
Shpirti i martirëve nuk njeh hakmarrje, por falje siç fali vetë Jezu Krishti. Po ashtu kanë dëshmuar se dinë të falin qindra të burgosur e të persekutuar politikë në këtë vend. Se fisnikët dinë të falin. Por gjithçka ka kufij. Kjo shtresë që nga gjiri i saj fali kaq martirë, duhet të marrë vendin që i takon në shoqërinë shqiptare. Në një çerek shekulli, vendi i tyre është vjedhur tinëzisht bash nga bijtë e atyre që në këtë vend mbollën makabritete të pashoqe në glob. Prandaj sot le të lutemi, e në heshtje të mendojmë e reflektojmë të gjithë, me besim tek Zoti, por dhe me dashuri për Atdheun që pret shumë nga secili bir e bijë e tij.
Sot Shën Pjetri flet gjuhën tonë, aty valëvitet flamuri ynë. E prej atje shpirtrat e martirëve fluturojnë të lumnuem në qiell për të qenë dëshmi dhe gardianë të përjetshëm të besimit e lirisë! Kur u masakruan 40 martirët në Armeni në v.320, Perandori Romak i Orientit ishte LICINIUS, i cili dha tinëzisht pëlqimin për masakrimin e tyre. Mirëpo Konstandini, Perendori Romak i Oksidentit që prej origjinës ishte Dardan, i shpalli luftë dhe e shkatërroi Liciniusin pikërisht për këtë masakër. Ne sot nuk po i shpallim luftë askujt për këto barbari, por nuk mund të lejojmë më tutje të mbahet i njëjti qëndrim dhe të përdoret e njëjta terminologji nga pushtetarët shqiptarë. Kodi ynë fisnik gjetik fetar e njerëzor është falja, por aspak harresa!
Autorja është deputete e PD-së
KOHA JONË SONDAZH

