Masa drastike izolimi? Kreu i Urgjencës Kombëtare: I frikësohem vatrave komunitare
Javët e fundit, pandemia e Covid-19 në Shqipëri ka pësuar një rritje të kurbës të raste të reja në ditë dhe virusi po përhapet në shumë vatra. Lidhur me këtë situatë, kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, përmes një postimi në facebook, shtron pyetjen se nëse kemi nevojë për masa drastike izolimi dhe për të nuk është e nevojshme.
Ai thotë se duhet që të gjithë të respektojnë rregullat. Teksa ka ndarë shqetësimin për numrin e pacientëve si në banesë po ashtu edhe për ata në spital, ai thotë se i frikësohet kalimit të infeksionit nga vatra të kontrolluara në transmetim komunitar.
”Pa tjetër që varet nga ne, thjesht të respektojmë disa rregulla të thjeshta. Domosdoshmëri është përdorimi i maskave në ambiente të mbyllura, ndofta është momenti që të ngrejmë zërin kur shikojmë persona të tjerë brenda këtyre ambienteve pa maskë. Ruajtja e distancës 1,5-2 metra në këto ambiente. Dezinfektimi i duarve në hyrje të çdo ambienti të mbyllur pa përdorur doreza. Karantinim dhe distancim fizik për të gjithë ata që rezultojnë të infektuar. Nëse ke pasur kontakt me persona të infektuar dhe shfaqen shenja e simptoma konsideroje veten si të infektuar. Mos përdor mask në ambient të hapur nëse nuk je prekur nga infeksioni. Mos përdor doreza në ambient të hapur”.
Postimi i plotë
Në këtë fluks lajmesh dhe informacioni gjithsecili prej nesh mundohet të marri atë që i afrohet gjykimit të tij personal. Ne nxjerrim konkluzione në bazë të besueshmërisë që kemi në persona të identifikuar të besuar. Megjithatë në çdo moment ka persona, grupime apo protagonizëm nga shumë njerëz që i shtyjnë këto lajme drejt përhapjes së tyre për një qëllim të caktuar, për interpretim personal ose forcë zakoni. Seleksionimi i këtyre lajmeve bëhet nga secili prej nesh deri në momentin që nuk na prek personalisht.
Nga momenti që jemi të prekur kërkojmë me fanatizëm të vërtetën, kërkojmë ndihmë, kërkojmë qetësi dhe siguri. Jetojmë në një moment të vështirë të pandemisë. Sot nuk dua të hyjë në shifra apo përqindje thjesht të ndajë shqetësimin me ju. Pa hyrë në analiza apo polemika, pa gjetur fajtorë siç e kemi zakon në Shqipëri, pa gjykuar doja të thoja se po vërehen tre dukuri në sfidën ndaj Sars-Cov2 që shkakton sëmundjen e COVID-19. Shtimi i rasteve në përgjithësi, shtimi i të sëmurëve, dhe prekja e moshave të reja deri dje ishin të pa prekura.
Ajo që më shqetëson më shumë është rritja e numrit të pacientëve si në banesë po ashtu edhe në spital. Kalimi i infeksionit nga vatra të kontrolluara në transmetim komunitar. Në këtë fazë të pandemisë a mund të bëjmë ne diçka më shumë për të parandaluar apo për të përmirësuar situatën e këtij infeksioni? PO A kemi nevojë për masa drastike izolimi? JO Kush është mënyra më e mirë për të vepruar në këtë moment? RESPEKTIMI I RREGULLAVE. Pa tjetër që varet nga ne, thjesht të respektojmë disa rregulla të thjeshta. Domosdoshmëri është përdorimi i maskave në ambiente të mbyllura, ndofta është momenti që të ngrejmë zërin kur shikojmë persona të tjerë brenda këtyre ambienteve pa maskë.
Ruajtja e distancës 1,5-2 metra në këto ambiente. Dezinfektimi i duarve në hyrje të çdo ambienti të mbyllur pa përdorur doreza. Karantinim dhe distancim fizik për të gjithë ata që rezultojnë të infektuar. Nëse ke pasur kontakt me persona të infektuar dhe shfaqen shenja e simptoma konsideroje veten si të infektuar. Mos përdor mask në ambient të hapur nëse nuk je prekur nga infeksioni. Mos përdor doreza në ambient të hapur.