Masa ekstreme policore pas orës 17.00 në Tiranë

 

 

Masa ekstreme per ruajtjen e futbollistëve serbë. Me mbërritjen e kombëtares serbe në aeroportin e Rinasit, shumica e rrugëve kryesore në kryeqytet do të paralizohen për disa orë.

Avioni i kombëtares serbe do të zbresë në orën 18.00 të pasdites së të mërkurës në Rinas, ndërsa të gjitha segmentet ku do të kalojë autobuzi i futbollistëve deri në akomodimin në hotel do të jenë të bllokuara.

Disa rrugë dytësore si dhe segmenti i bulevardit dhe qëndra e kryeqytetit, ku do të kalojë autobuzi do të bllokohen nga ora 17.00 deri ne orën 20.00 pasi do të kontrollohen më parë për të shmangur çdo incident të mundshëm. E gjithë lëvizja e lojtarëve serbë do të monitorohet nga ajri, nga dy helikopterë Kugar të ushtrisë.

Pranë hotelit nuk do të lejohet parkimi i asnjë automjeti si dhe nuk do të lejohet të kalojë asnjë këmbësor. Për sigurinë e kombëtares serbe krahas policisë do të angazhohet edhe garda e republikës si dhe në gatishmëri do të jenë edhe forcat speciale të FNSH-së dhe RENEAS.

Eskortimi i kombëtares serbe do të bëhet nga një numër i lartë efektivësh ndërsa ditën e enjte pas orës 12 do të bllokohen segmentet drejt qytetetit të Elbasanit përfshirë tunelin e Krrabës.

SHKARKO APP