Masa të ashpra kufizuese kundër Covid në Greqi. Selaniku dhe Serres në karantinë të plotë, Athina drejt izolimit

Greqia nga sot është nën masa kufizuese teksa qyteti i dytë më i madh Selaniku i është rikthyer Lock-Down të plotë. Po ashtu edhe qyteti verior i Serres ka hyrë në izolim të plotë për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19.

Vendimi ministror i botuar sot në Fletoren Zyrtare që hyn urgjentisht në fuqi parashikon:
Nuk lejohet qarkullimi nga ora 21.00-05.00, rikthehet qarkullimi i kufizuar dhe me mesazh sms.
Mësime me platforma elektronike për nxënësit e gjimnazit (liceut grek) dhe universitetet, hapur shkollat fillore deri në klasën e 9-të.

Makinat me shoferin dhe një pasagjer dhe vetëm nëse justifikohet prezenca e fëmijës.
Ndalohet qëndrimi në ambjente të jashtme, përveç veprimeve të detyrueshme dhe madhore, të përcaktuara me sms paraprakisht. Arsyet e lejuara janë:

-Vizitë në mjek ose farmaci, për çështje shëndetësore
-Blerje dhe pajisje me ushqime dhe sende në super-market
-Lëvizje drejt punës, me dokument nga punëdhënësi
-Shërbime të sektorit publik, që nuk kryhen me platforma elektronike
-Ushtrim fizik me orar të kufizuar, shëtitje e kafshëve shtëpiake
-Vizitë tek njerëz në nevojë, të moshuar etj.
-Pjesëmarrje në ceremoni (varrime etj.) siç parashikohet rregullorja në vendimin e mëparshëm, me distancë dhe numër të kufizuar pjesëmarrësish.
-Ritualet fetare kryhen në kisha pa besimtarë, në varrime lejohen deri në 9 të pranishëm.
Ndalohen fluturimet drejt dhe nga Selaniku, përveç për arsye madhore, të justifikuara me dokumentacion.
Ndalohet qarkullimi jashtë Selanikut dhe Seres, me tren, autobus, apo automjete private, përveç për arsye madhore apo kategori të caktuara, si mjekët, ushtarakët, diplomatët, Frontex.

Vijojnë të funksionojnë:

Tregëtia me shumicë, industria, hotelet dhe kopshtet dhe shkollat fillore deri në klasën e 9-të.
Demostratë kundër lockdown të përgjithshëm dje në Selanik, në kullën e bardhë, nga rreth 100 të rinj, që kundërshtojnë masat e rrepta, duke kërkuar elasticitet dhe fuqizim të sistemit shëndetësor. Ndërhyrja e policisë ishte e menjëhershme, duke i larguar refuzuesit e maskës dhe shpërndarë turmën. Selaniku disponon ndër kampet më të mëdha studentorë, me rreth 80.000 çdo vit, një nga faktorët që ka ndikuar shumë në rritjen masive të të infektuarve dhe përhapjen e covid-19.

Zëdhënësi i qeverisë greke nuk ka përjashtuar mundësinë e një lockdown të plotë të Greqisë, nëse nuk ka ulje të shifrave të të infektuarve, ndërkohë që nëse masat e mini lockdown në Athinë nuk përmirësojnë situatën, parashikohet zgjerim i vendimit edhe për Atikën.

Nga sot ka hyrë në fuqi mini-lockdown edhe në kryeqytetin grek si dhe zonat e konsideruara të rrezikshmërisë së lartë. Ndryshe nga veriu i Greqisë, në Athinë përkufizimet janë akoma më të lehta, me qarkullimin të ndalohet vetëm në orët 24.00-05.00.
Masat që zbatohen nga dita e sotme e për dy javët e ardhshme, deri në një rishqyrtim të situatës janë:
Kudo përdorim i maskës, mësime në platforma elektronike për universitetet, punësim i detyruar i 50% të punonjësve në sektorin publik dhe privat (gjoba për punëdhënësin privat është 3000 euro, në rast të kundërt).

Në Atikë dhe zonat e kuqe të vendit, nga sot në njësitë shitëse lejohet 1 person në 10 m2, një pasagjer dhe shoferi në automjete, me 50% të pasagjerëve mjetet e transportit publik, mbyllen restorantet, kafenetë, muzetë, ambjentet kulturore, palestrat e mbyllura, teatrot, kinematë, këndet e lojrave për fëmijë.

Ritualet fetare do të kryhen me deri në 9 besimtarë në kishë. Distancë 1.5 m në çdo ambjent të brendshëm apo të jashtëm.
Zëdhënësi i qeverisë, Stelios Petsas ka deklaruar se thirrjet e mëparshme për respektim të distancës dhe përdorim të maskës nuk kanë qenë të mjaftueshme për të ndaluar përhapjen e virusit. Sistemi shëndetësor ka shumë presion, masat janë të domosdoshme para rrëzimit total. Stelios Petsas nuk ka përjashtuar mundësinë e një lockdown total në Atikë, apo edhe në të gjithë Greqinë, ndërsa specialistët grekë deklarojnë se sipas të dhënave të deritanishme, masat kufizuese do të jenë të pranishme deri edhe në muajin mars 2021.

SHKARKO APP