Masa të forta sigurie për takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë. Mediat greke zbulojnë planin e policisë

Këtë të dielë, kryeministri Edi Rama do të jetë në Athinë, në kuadër të turit të takimeve me shqiptarët në Diasporë. Vizita përveçse ka shkaktuar reagime të forta në radhët e politikës helene pasi ndodh në 1 vjetorin e arrestimit të Fredi Belerit, ka detyruar autoritetet në kryeqytetin grek që të marrin masa të forta sigurie.

Sipas mediave greke masat e sigurisë do të jenë drakoniane, ndërsa në dispozicion të Ramës do të vendosët edhe një automjet i blinduar tip “BMW” për ta bërë sa më të sigurtë vizitën e tij.

Rama do të mbërrijë në Greqi mëngjesin e së dielës dhe do të shkojë direkt në stadiumin e mbyllur të Galatsit, ku salla “Christmas Theatre” është përzgjedhur nga organizatorët për zhvillimin e tubimit. Punonjësit zyrtarë të policisë do të jenë në dispozicion për çdo incident apo episod të mundshëm, ndërkohë që policia rrugore do të menaxhojë qarkullimin.

Përfaqësuesi i qeverisë, Pavlos Marinakis thotë se kjo është një “vizitë private” dhe se qeveria do të garantojë që të gjitha masat e sigurisë të jenë në vend.

“Detyra jonë nuk është të interpretojmë përshtatshmërinë e vizitës së Edi Ramës, puna jonë është të tregojmë respektin për shtetin e së drejtës me veprimet tona. Greqia nuk ka frikë, nëse ka ndonjë arsye do të përgjigjemi”, pohoi përfaqësuesi i qeverisë greke.

SHKARKO APP