Masakara e Reçakut, Rama replikon me komentuesin: Armatë trushkulurish

Dy ditë më parë, u përkujtua 21-vjetori i masakrës së Reçakut.  Mirëpo një pjesë e politikës dhe e opinionit, e akuzojnë kryeministrin Edi Rama se nuk i kushtoi vëmendjen e duhur kësaj ngjarjeje. Sipas tyre, kjo erdhi si pasojë e afrimit të tij dhe takimit të radhës me Vuçiçin për ”Mini-Shengenin Ballkanik” si dhe faktit që Presidenti serb nuk e njeh këtë masakër.

Kryeministri Rama ka reaguar ndaj një komentuesi në rrjetet sociale, pasi e ka quajtur “tradhtar”. “Keqardhje e turp për ty dhe këdo tjetër si ti që prej Kosove më shan e më mallkon paturpërsisht, për tradhtira imagjinare e për poshtërsira të sajuara ndaj meje nga politikane e analiste pa din e pa iman! Unë kam bërë, bëj e do bëj gjithçka mundem për Shqipërinë e për Kosovën po njësoj, e nuk kam ndërmend as të tërhiqem, as të përkulem, përballë kësaj armate trushkulurish, shpifësish e parazitësh, sepse jam me të drejtën dhe me të vërtetën, që edhe kur vonon nuk harron asnjëherë”.

Kreu i qeverisë komenton jo pozicionin e tij në raport me Reçakun, por duke shkuar deri te konsideratat e ndërkombëtarëve për elitën politike të Kosovës.

”E sa për Reçakun, ato viktima te pafajshme te agresionit serb nuk i nderon aspak zotëria jote duke më fyer mua, ashtu sikundër viktimat e urrejtjes nuk nderohen aspak duke i përdorur për politikën e ulët, që i ndan njerëzit në patriotë e në tradhtarë! Kjo ishte përgjigja ime për ty, teksa ndjek me shumë keqardhje se si ajo lloj politike po ia merr Kosovës frymën e fytyrën, në sytë e njerëzve të thjeshtë dhe të miqve të mëdhenj ndërkombëtarë, të cilët habiten gjithnjë e më shumë nga paaftësia politike e nga hipokrizia patriotike e atyre qe kujtojnë se me shpifjet e sharjet ndaj meje, do i ikin përgjegjësive te tyre para popullit dhe të ardhmes së Kosovës”.

SHKARKO APP