Masakra me 4 viktima në Velipojë/ Hasan Ferracaku: Shkuam për të biseduar për shezlonget, ata qëlluan të parët

Në masakrën në Velipojë për 50 metra hapësirë në plazh, i plagosur mbeti edhe Hasan Ferracaku, të cilin Policia  e Shtetit edhe e ka arrestuar. Ai e ka dhënë dëshminë e tij për Policinë nga Spitali i Traumës, aty ku është shtruar pasi mbeti i plagosur por jashtë rrezikur për jetën. Teksa ka rrëfyer se në hotelin e familjes Gocaj kishin shkuar për t’u sqaruar dhe për të gjetur një zgjidhje në lidhje me vendosjen e shezlongeve në plazh.

Sipas Ferracakut, ata i kishin kërkuar familjes Gocaj që të largonin shezlonget nga ajo zonë e plazhit, pasi këtë vit e kishin ata të drejtën pasi kishin aplikuar, por sipas tij Gocajt nuk pranuan duke kërkuar që të prisnin deri në përcaktimin e vendit të tyre. Debati më pas është acaruar, duke shkuar deri në përdorimin e armëve. Hasan Ferracaku thotë se kanë qenë Gocajt ata që kanë qëlluar fillimisht dhe se më pas, vëllai i tij, Kujtim Ferracaku, i cili mbeti i vrarë, është kundërpërgjigjur për vetëmbrojtje.

”Fillimisht kemi zhvilluar një debat tek shezlonget në plazh sepse ata i kanë vendosur në vendin ku këtë vit e kemi pasur të drejtën ne pas aplikimit që kemi bërë. Pas atij debati kemi shkuar në darkë tek hoteli Gocaj për t’u sqaruar me familjen Gocaj. Jemi ulur në tavolinë për të biseduar. Ne i kemi thënë që të gjejmë një marrëveshje, pasi ata i kishin vendosur më përpara shezllonet njëkohë që këtë vit kjo e drejtë ishte e jona në baze të aplikimeve. Ata nuk kanë pranuar duke thënë se duhet të presin derisa të përcaktohet edhe vendi i tyre. Gjatë bisedës ka nisur debati dhe gjërat janë acaruar duke bërë që të përdoren edhe armët. Ne kemi shkuar për të folur dhe për të gjetur një zgjidhje për shezllonet, por situata u acarua dhe pas krismave të armëve nuk e di çfarë ka ndodhur më. Di që ata kanë qëlluar ndaj vëllait dhe ne të tjerëve dhe në atë moment vëllai është vetëmbrojtur. Unë nuk kam qëlluar dhe kemi shkuar vetëm për të biseduar sepse janë njerëz që ne i kemi njohur dhe kemi pasur marrëdhënie të mira, por situata doli nga kontrolli”, mësohet të ketë thënë Ferracaku.

Babai i dy vëllezërve që mbetën viktima, Pjetër Gocaj gjeti kurajon në kujën e madhe që i ka rënë, që të flasë për mediat për këtë tragjedi që ka shokuar mbarë opinionin publik. Me lotët dhe të dridhurat që i ndërprisnin fjalët, me një rrëfim të sinqertë ai është lutur fillimisht që kjo tragjedi të mos i ndodhë kujt, ku edhe më pasi tregoi se djemtë u vranë në derën e shtëpisë. Me shpirtin e plagosur që humbi dy djemtë, ai shprehet se nuk ka qenë i pranishëm në vendngjarje dhe është habitur pasi i ka pasur pasur shokë dhe miq personat me të cilët ndodhi sherri që u kthye në tragjedi.

“Kjo që ka ndodhur mos i ndodhtë më kujt, mua më është fikur dera e shtëpisë. Uroj që mos t’i ndodhë askujt. Nuk e kuptoj si ka ndodhur konflikti, por e di që për shezlongët. Më kanë vrarë tek dera e shtëpisë, më kanë vrarë dy djemtë. Çfarë më duhet jeta më. Vitin e kaluar i kam pasur unë shezllonët, këtë vit ia kanë dhënë atij. Ne kemi pritur që të ndahen shezlongët sepse kanë qenë pa u ndarë ende, ata kanë ardhur dhe na vranë në shtëpi. Uroj mos t’i ndodhë më kujt se peshën e rëndë të kësaj ngjarje e kam unë mbi supe. Asgjë nuk dimë. Më kanë vrarë djemtë. Erdhën në derë të shtëpisë, të armatosur. Si tash e 30 vjet janë vra dhe për parking, armët kanë këto fenomene. Fatkeqësia jeme, ato i kam pasur shokë e kolegë, se në çfarë rrethanash ma kanë bërë këtë punë e me më ardhe tek dera. Mu duhet të më kishin thirrur, më shumë më njohin mua se çunat e mi. Ne i kemi vendosur shezllonet përpara se të bëhej ndarja nga shteti e shezlongëve, dhe ishim në pritje kur të vendosej kjo ndarje për të shikuar se ku i kemi ne dhe ku i kanë ata. Nuk kam ditur gjë, se nuk na kanë njoftu! I kam shokë, unë jam habitur. Të hënën do të sillja disa kosovarë dhe ndodhi kjo që ndodhi”, rrëfeu Pjetri.

SHKARKO APP